”Takon agjentë serbë në hotel”/ Polemika Hyseni-Lala në hyrje të GJKKO, AGSH: Shantazh ndaj gazetares
Ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni, u përfshi sot në një përplasje verbale me gazetaren Klodiana Lala në hyrje të ambienteve të GJKKO-së, pak para se të njihej me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
E pyetur nga gazetarja për lidhjet e saj me Ergys Agasin, Hyseni iu përgjigj: “Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”.
Pas kësaj deklarate, Hyseni nuk iu përgjigj pyetjeve të tjera të gazetarëve dhe u fut në ambientet e GJKKO-së.
Në një lidhje live, Klodiana Lala e cilësoi deklaratën si “sulm vulgar” dhe “shantazh ndaj gazetarëve”. Ajo tha se mbetet për t’u sqaruar se cilave takime iu referohej Hyseni.
Për incidentin reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili dënoi deklaratat e ish-shefes së SHISH dhe kërkoi tërheqjen e tyre.
“Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të japë llogari vetëm përpara drejtësisë, ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen”, thuhet në reagimin e AGSH-së.
Asociacioni i bëri gjithashtu thirrje SPAK-ut që ta shqyrtojë me seriozitet episodin, duke e cilësuar atë si një rast që kërkon vëmendje nga institucionet e drejtësisë.

