Të gjithë skenarët, për atë që pritet të ndodhë përpara parlamentit natën e 8 korrikut!

Ashtu siç edhe pritej, nëpërmjet një urdhri të firmosur mesditën e djeshme kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, e ka spostuar me një orë më herët nisjen e seancës parlamentare të ditës së hënë. Seanca e jashtëzakonshme, dedikuar vetëm procedurës së ngritjes së Komisionit parlamentar për hetimin e veprimtarisë së presidentit Meta është parashikuar që të vazhdojë dy orë. Sipas kalendarit të parë që ishte ora 18.000, ajo do të përfundonte në orën 21.00, kohë që korrespondonte fiks me shkuarjen e protestuesve përpara godinës së parlamentit.

Por frika duket se ka bërë që Rama të urdhërojë Ruçin, që të shmangë përballjen me protestuesit duke vendosur që seanca të përfundojë në ora 20.00 dhe jo në 21.00. Arsyen e spostimit në kohë të seancës e ka pranuar edhe vetë Gramoz Ruçi, i cili tha se kjo është bërë për të shmangur ndonjë sulm të mundshëm të protestuesve të opozitës ndaj Parlamentit.

Por a ka nga ana e opozitës një skenar që kjo protestë, e 11-ta kombëtare, të jetë më radikale (veçanërisht përpara parlamentit) se ato të fundit që ishin teje paqësore?

E vërteta është se drejtuesit e opozitës janë treguar këtë herë të kujdesshëm në deklarata, por nga ana tjetër mobilizimi i bazës ka qenë teje i madh. Kryetarja e LSI-së dje mbodhi strukturat në kuadër të një aksioni, “derë më derë”, për të siguruar një pjesëmarrje masive ditën e hënë në orën 20.00. Nga na tjetër ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, në një dalje në “Fax News”, kur u pyet se a është këtë herë pjesë e skenarit zhvendosja e protestës përpara parlamentit dha një përgjigje evazive.

“Ne jemi vetëm në situatën ku dimë, se do të ketë pjesëmarrje të madhe”, tha ai.

Gjithsesi situata e krijuar pas zgjedhjeve të 30 qershorit, të cilat jo vetëm ishin moniste por edhe po rezulton se janë manipuluar hapur për të rritur përqindjen e pjesëmarrjes, e ka ndezur edhe më shumë situatën. Nga na tjetër edhe beteja e mazhorancës kundër presidentit Meta është një element i shtuar në prag të protestës së 8 korrikut. Syri. net ka mësuar se protesta do të jetë më e fuqishme, pikërisht përpara godinës së parlamentit të cilin ajo e quan të jashtëligjshme dhe të rënë. Kurse për trukun, Rama-Ruçi, për çështjen e orës së nisjes së seancës, po mendohet seriozisht që edhe opozita ta shtyjë protestën me një orë më herët në kohë. Kështu nga ora 20.00 që është orari i tanishëm për nisjen e saj, mund të bëhet në orën 19.00 me synim që mazhoranca parlamentare, të mos ketë mundësi t`ja mbathë, fare e qetë!

/syri.net

SHKARKO APP