
Studenti Emanuel Daçi u shoqërua më 20 tetor nga afro 50 forca të efektivëve të Policisë së Shtetit, teksa ishte ulur në një lokal, mbrëmjen e trazirave të forta që ndodhi në Tiranë. I riu nga Durrësit është rikthyer në protestë, duke shprehur keqardhje për rënien e pjesëmarrjes. ”Ky numri i pakët që jemi sot është sikur ne po dorëzohemi. Ne nuk duhet të dorëzohemi, sepse na kanë rrahur, është derdhur shumë gjak, tjetri humbi syrin. Është shumë turp nëse dorëzohemi”, shprehet Daçi. Duke folur për qëndrimin në komisariat, ku u shoqërua pas protestës, i riu tregon se nuk është keqtrajtuar fizikisht, por pretendon se ka ndier një mesazh për të mos marrë më pjesë në tubime.
”Në komisariat nuk u sollën keq me mua, por mesazhi ishte që ne nuk duhet të dalim në protestë”, rrëfen ai. Daçi thotë se ka marrë pjesë që prej ditës së parë dhe se do të vazhdojë të mbështesë protestën, por kundërshton dhunën ndaj efektivëve të policisë, të cilët janë sulmuar me gurë, molotovë dhe mjete piroteknike. ”Edhe policët familje kanë, edhe ata. Nuk e di se si kanë arritur në këtë pikë. Ne nuk e nisëm dhunshëm, policia e nisi protestën e dhunshme”, deklaron Daçi për ”Rerport TV”.
Për paketën kundër dhunës në protesta, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, ai shpreh kundërshtimin e tij, duke e konsideruar një përpjekje për të frikësuar protestuesit. “Është çnjerëzore, është mundimi që të na fusin frikën”, thotë i riu. Protesta, përmes së cilës kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, sipas Daçit synon të krijojë mundësi për një të ardhme më të mirë në Shqipëri, në mënyrë që të rinjtë të mos detyrohen të largohen jashtë vendit.
”Të bëjmë diçka për një të ardhme më të mirë, për të krijuar një gjë më të bukur për jetën tonë. Të ndërtojmë diçka këtu dhe jo të ikim jashtë”, thekson ai. Duke iu referuar protestave studentore në Serbi dhe zhvillimeve politike atje, Daçi mendon se edhe lëvizja në Shqipëri duhet të shndërrohet në një forcë politike për të arritur ndryshime konkrete. “Patjetër duhet të kthehet në parti politike”, përfundon i riu nga Durrësi.
