VIDEO/ Linja ajrore Tiranë-Toronto, Rama: Rinasi në një epokë të re, rritja rekord e pasagjerëve do të ndryshojnë aeroportin
Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte në ceremoninë inauguruese të fluturimit të parë direkt mes Tiranë-Toronto, duke e cilësuar këtë linjë të re ajrore si një moment historik për Shqipërinë dhe një urë të re lidhëse me Kanadanë. Fluturimi i parë realizohet nga kompania Air Transat dhe shënon lidhjen e parë direkte ajrore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te transformimi i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, duke deklaruar se Tirana mban vendin e parë në Europë për rritjen e numrit të pasagjerëve. Sipas tij, në vitin 2016 aeroporti regjistronte 22 mijë fluturime në vit dhe 2.2 milionë pasagjerë, ndërsa në vitin 2025 numri i pasagjerëve arriti në 13.7 milionë dhe ai i fluturimeve në 82 mijë. Rama tha se pritshmëritë janë që numri i fluturimeve të kalojë 100 mijë deri në fund të kësaj dekade.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se së shpejti aeroporti do të hyjë në një fazë të re modernizimi, me vendosjen e portave dixhitale për qytetarët shqiptarë me pasaportë biometrike. Sipas tij, hyrja në aeroport do të kryhet pa kontrollet tradicionale, ndërsa të dhënat do të përpunohen përmes sistemeve të inteligjencës artificiale, në atë që ai e cilësoi si një transformim të rëndësishëm të aeroportit.
“Aeroporti i Tiranës mban vendin e parë në Europë për rritjen e numrit të pasagjerëve. Nga 2016 në vitin 2025, rritja ka qenë marramendëse. Në vitin 2016 kishte 22 mijë fluturime në vit për 2.2 milionë pasagjerë. Më pak se 10 vjet më vonë, numri i pasagjerëve arriti në 13.7 milionë dhe numri i fluturimeve në 82 mijë. Ne mendojmë që do të kalojë 100.000 në fund të kësaj dekade. Rinasi është ndër të parët që ka hedhur hapin e kalimit të dixhitalizuar të Check-in. Së shpejti, do të hapim këtu një kapitull të ri të transformimit dixhital të aeroportit dhe modernizimit të tij, portat dixhitale, të cilat do të jenë porta ku do të hyhet pa asnjë lloj kontrolli nëse je shqiptar dhe ke një pasaportë biometrike. Kjo do të bëjë që për të gjithë pasagjerët shqiptarë që hyjnë në Rinas të hyjnë si në shtëpinë e tyre dhe i gjithë info do të merret përmes inteligjencës artificiale që do të ketë kjo portë. Do të jetë një transformim i jashtëzakonshëm në shumë aspekte”,-tha Rama.
Linja Tiranë-Toronto pritet të shërbejë veçanërisht për diasporën shqiptare në Kanada, ndërsa autoritetet e aeroportit vlerësojnë se ajo do të ndikojë pozitivisht në rritjen e turizmit dhe shkëmbimeve tregtare. Fluturimi inaugurues shënon nisjen e shërbimit të parë transoqeanik nga Rinasi. Me këtë zhvillim, Shqipëria hap një kapitull të ri në lidhjet e saj ajrore ndërkombëtare, duke krijuar një korridor të drejtpërdrejtë mes Ballkanit dhe Amerikës së Veriut.
KOHA JONË SONDAZH



