Home Bota BE zhgënjeu k...

BE zhgënjeu kosovarët në një ditë të bukur qershori me fjalën ”Not Yet”

32
0

Më 14 qershor, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç “u lajmërua nga askund” për të bërë një deklaratë rreth liberalizimit të vizave. Në mediat e Kosovës, përfshirë Gazetën Express, kjo deklaratë u publikua jo si diçka e vërtetë, por “një balonë” e radhës e provokatorit Vuçiç. Edhe pse po e paralajmëronte një kundërshtar oficial i Kosovës, heqja e vizave nuk dukej si ngjarje fiktive, teksa po afronte mbledhja e krerëve të BE’së dhe një varg takimesh i zyrtarëve më të ulët europianë, që po përgatisnin agjendën për shefat.

Ngjarjet në Ukrainë dhe dhënia e statusit të kandidatit për këtë shtet, deklaratat e Kancelarit gjerman Scholz se Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e vizave e kishin bërë mundësi reale më në fund. Dje BE bëri me dije se ende s’është në gjendje t’i hap dyert për Kosovën. Mark Rutte, kryeministri i Holandës, një prej skeptikëve, kërkoi ende punë, duke konstatuar se nuk janë përmbushur kushtet – “not yet” (akoma jo) tha ai, ndërsa Viola Von Crammon e zbuloi njeriun që, sipas saj, po i bllokon kosovarët – ministri i brendshëm i Emmanuel Macronit.

Ka së paku nja 12 vjet që kur në Kosovë filloi të përmendet në mënyrë intensive heqja e vizave. Asokohe vendi ishte në zgjedhje dhe Hashim Thaçi kishte vendosur t’i nxjerrë si grep ato për kosovarët, për t’i joshur që ta fitonte garën elektorale, edhe pse zyrtarë të BE’së, europarlamentarë e raportues, kishin tërhequr vërejtjen se nuk është e mirë të jepen premtime të tilla.

Kur europianët kishin dhënë atë që njihet si “road map”, institucionet kishin filluar ankesat se ishin dyfishi i kushteve që ua kishin caktuar vendeve tjera. Kërkesat, kryesisht të natyrës teknike, ishin plotësuar, përjashtuar luftën e pamjaftushme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për çka vendet anëtare – veçmas Franca, nuk ishin bindur – kërkonin jo vetëm arrestime të të dyshuarve për korrupsion, por edhe dënime për të akuzuarit. Kërkesë që vlen edhe sot, më 2022, kur vendin e qeverisin “të pakorruptuarit”.

Diku më 2016, një institucion i rëndësishëm i BE’së, Komisioni Europian, kishte ardhur në përfundim se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin vizash, duke e kërkuar vetëm edhe ratifikimin e marrëveshje së demarkacionit. Prishtina zyrtare me vështirësi e kishte përmbushur këtë kusht, për shkak të përplasjeve të mëdha, ku përfshihej edhe gjuajtja me gaz nga VV’ja opozitare e Albin Kurtit, që çoi gati në konflikt fizik mes partive politike.

Përsëri drejtues të instituicioneve të BE’së Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Zëvendësja e Komisionit Europian, Federica Mogherini, “ministri” i BE’së për Çështje të Brendshme, Dimitri Avramopoulos dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn kishin reaguar më 2018, pas miratimit të marrëveshjes së kufirit, duke e cilësuar si hap thelbësor për heqjen e vizave, duke shtuar se të gjitha palët në Kosovë “duhet t’i vazhdojnë përpjekjet e suksesshme për ta arritur udhëtimin pa viza”.

Që prej asaj kohe, ngjarje dramatike kanë ndodhur në Kosovë. Vendi ka lidership të ri, ish-udhëheqës të lartë përfshirë presidentin, kryeparlamentarin ndodhen në paraburgim në Hagë. Kosovë tash udhëhiqet nga një lidership i ri, por BE’së nuk i ka mjaftuar kjo gjë.

Kapitulli i ri për vizat u rikthye fort në diskurs vetëm kur Rusia nisi luftën në Ukrainë dhe kur u tha se BE duhet të bëjë diçka për Ballkanin, që këtu të mos vijnë forca të tjera për ta zënë vendin e Perëndimit, duke e bërë për vete atë, apo duke mos e lënë të stabilizohet. Në Kosovë, për shkak të qasjes së lidershipit aktual, u përhap ideja për lehtësira në integrime dhe ideja se europianët do t’ua kthejnë “borxhin” e vizave.

Një ditë para samitit BE-Ballkani Perëndimor, i vetmi që u rebelua ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili tashmë ka nisur një betejë verbale me bullgarët, të cilët i akuzoi rëndë se kanë kidnapuar dy shtete të NATO’s (Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut), duke ua pamundësuar fillimin e negociatave për anëtarësim, për shkak të vetos bullgare ndaj Shkupit, si pasojë e kontestit të palëve mbi identitetin. As Rama, i cili kësaj here operoi në bllok me Presidentin serb dhe Kryeministrin maqedonas, si shtete të Ballkanit të Hapur, nuk arritën të të shantazhojnë BE’në.

Në Kosovë nuk pati ndonjë nervozë te lidershipi. Presidentja Osmani ishte ajo që udhëtoi drejt Brukselit. Kur shkoi atje, u pa duke biseduar me Macronin dhe Scholzin, por nuk ia doli të shtynte përpara kauzën e kosovarëve. 27 vendeve iu tha se në sallë është e vetmja që nuk mund të udhëtojë pa vizë, por nuk arriti të depërtojë në ndërgjegjen e udhëheqësve europianë.

Presidentja tha se gjeti përkrahje tek vendet e Unionit, por një këshilltar i saj deklaroi se Macron u interesua të shohë progres për vizat. “Sa i përket krimit dhe korrupsion ka inkurajuar që institucionet tona të jenë më të vendosura dhe të shtyjnë përpara agjendën e tyre kundër-korrupsion”, tha këshilltari.

Në krejt këtë sagë, Kryeministri Albin Kurti nuk u duk askund. Mungoi vetëm një deklaratë e tipit “nuk kam lidhje me këtë punë”. Por atmosferën, si duket, e kishte përjetuar krejt ndryshe ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ish-gazetari tash i shndërruar në diplomat, i cili cicëroi në Twitter, shoqëruar me një fotografi ku shihej ai dhe Presidentja. “Ishte ditë e gjatë, por përfundimisht një ditë e mirë”.

Marrë nga Gazeta Ekspress

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Bota

Më shumë nga Bota

Lajmet e Fundit

Te Fundit