Britania gati të sulmojë ISIS, Cameron kërkesë deputetëve
Kryeministri britanik, David Cameron mbrojti sot tezën e sulmeve kundër grupit të Shtetit Islamik në Siri në një raport parlamentar, duke vënë theksin se Britania e Madhe nuk mund të nënkontraktojë për çështjen e sigurisë së saj me vende të tjera.
“Është e nevojshme të zgjerojmë praninë tonë ushtarake kundër ISIS-it në Siri”, tha ai, me synimin për të shmangur sulmet e mundshme terroriste në vend nga grupi xhihadist.
”Ne duhet të ndërmarrim sulme kundër ISIS-it në Siri, siç ishte rasti i ngjashëm në Irakun fqinj për të përballuar kërcënimin e mundshëm nga ISIS-i në rajon dhe për sigurinë tonë në vend. Duhet të shmangim tragjedi të tjera në Siri”, theksoi Cameron.
“Sa më gjatë të lejojmë që ISIS-i të forcojë pozitat në Siri, aq më i madh do të jetë kërcënimi”, shtoi ai.
Këto komente i adresoheshin komisionit parlamentar të Çështjeve të Jashtme i cili në fillim të muajit nëntor është shprehur kundër sulmeve në Siri, duke vlerësuar faktin se Londra duhet të fokusohet kryesisht në përpjekjet diplomatike për të çuar paqen atje.

