Media spanjolle: Kryeministri bullgar Borisov nën hetim në Spanjë për pastrim parash
Gazeta spanjolle elPeriodico publikoi të Premten (21 Shkurt) një raport hetimor ku thuhej se Kryeministri Bullgar Boyko Borissov po hetohet nga policia Katalanase për dyshimin e përfshirjes në pastrim parash dhe krim të organizuar. Borissov ka mohuar çdo keqbërje.
Duke folur para gazetarëve në samitin e BE, Borissov hodhi poshtë pretendimet, duke thënë se Rusia dhe Presidenti Bullgar Rumen Radev janë prapa asaj që ai e quajti një tentativë për ta “goditur”. Radev ka fituar mbështetjen popullore në Bullgari duke qenë një kritik i fortë i Borissov, të cilin ai e akuzon për tendenca autokratike.
Agjencia EURACTIV e pyeti Borissov nëse ai do të jepte dorëheqjen dhe ai u përgjigj se ai do të bënte këtë nëse edhe një grimcë e pretendimeve rezultonte e vërtetë.
Gazeta ElPeriodico deklaroi se policia Katalanase dhe Zyra e Prokurorisë Kundër Korrupsionit po hetojnë nëse Borisov është i lidhur me një komplot ndërkombëtar të “pastrimit të parave” me destinacionin përfundimtar në Barcelonë.
Faktet, sipas policisë Katalanase, “tregojnë për ekzistencën e një organizate kriminale”.
Raportohet se, një vilë me vlerë 3 milion € dhe pasuri të tjera të shtrenjta, për një total prej 5 milion eurosh, është blerë në Barcelonë nga dy kompani të lidhura me një ish-modele bullgare, për të cilin thuhet se ka pasur një marrëdhënie me Borissov. Policia Katalanase ka përcaktuar se të ardhurat e Borissov nuk mund të justifikojnë një mënyrë jetese të tillë. Borissov tha se askush, “asnjë shërbim, asnjë autoritet policor”, nuk e kishte kontaktuar për të hetuar akuzat. Në Bullgari, thashethemet për “vilën e Borissov në Barcelonë” qarkullojnë për një kohë të gjatë, por deri më tani nuk kishte raportime që autoritetet pritëse po hetonin këtë çështje.
KOHA JONË SONDAZH

