Problemet e Emmanuel Macron

Është një rrugë e gjatë nga Mali Olimp. Vitin e kaluar, Emmanuel Macron erdhi në pushtet me një mandat për të reformuar Francën. Por sot, Franca duket e pareformueshme. Rrugët e Parisit kanë qenë të mbushura me makina të djegura dhe xhama nga vetratat e thyera të dyqaneve. Pjesa e fshatrave është e paralizuar, duke qenë se jelekët e verdhë kanë bllokuar akset kryesore të rrugëve dhe depove të karburanteve gjatë protestave, shkruan The Economist.

“Politika e kthesës” po e shfaq z. Macron më të dobët se të gjithë paraardhësit e tij të fundit, të cilët u përpoqën që të ndryshonin një prej kombeve më kokëfortë në botë. Njeriu që dikur premtoi një presidencë “jupiteriane”, sot duket më njerëzor se kurrë. Zgjedhja e z. Macron në maj të 2017 krijoi një optimizëm të ri rreth Francës, Europës dhe së gjithë botës.

I ri, inteligjent dhe plot me ide për ta bërë më të hapur Francën, dinamik dhe i matur, ai e kundërshtoi me elokuencë nostalgjinë e Mbretërisë së Bashkuar, përpara marrjes së vendimit të Brexit, Amerikën e Donald Trump-it dhe autokracitë e Europës Lindore. Shpresa për një rinovim të gjerë të qendrës radikale ra e gjitha mbi shpatullat e tij.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kur kjo parti e re, një grup politikanësh të rinj, të fuqizuar nga mediat sociale, fitoi një shumicë parlamentare, revolucioni Macron dukej i pandalshëm. Ai shumë shpejt i miratoi reformat e nevojshme për ta bërë tregun e punës më fleksibël, duke punuar me sindikatat e moderuara dhe duke u përballur me ato që ishin të papërmbajtshme. Reformat e tij të arsimit ofruan klasa më të vogla në zonat e varfra të vendit dhe kontroll më të madh të qytetarëve mbi trajnimin. Buxheti mori formë, duke përmbushur kufirin e deficitit të Mastrihtit prej 3% të PBB-së, për herë të parë që nga viti 2007.

Swiss Digital Mobile Reklama

Megjithatë gjatë rrugës, z. Macron harroi se një President francez nuk është as Zoti dhe as monark, por thjesht politikan në një demokraci që kërkon në mënyrë të vazhdueshme mbështetjen dhe pëlqimin nga ana e popullit.
Arroganca e tij ka çuar në marrjen e një sërë masash individuale dhe destruktive, duke qortuar një adoleshent që e quajti atë “Manu” në vend të “Monsieur le Président”, duke thirrur menjëherë Parlamentin që t’i japë leksione në Pallatin e Versajës, duke folur për “njerëzit që nuk kanë aspak rëndësi”.

Z. Macron gjithashtu duket se ka harruar se në raundin e parë të zgjedhjeve të vitit të kaluar, 48% e votuesve ishin aq të pakënaqur nga drejtimi i tij sa ata mbështetën ekstremistët si Marine Le Pen dhe Jean-Luc Mélenchon.
Ata votues nuk janë larguar dhe nuk ishte aspak e zgjuar nga ana e Presidentit që të antagonizonte të majtën në mënyrë të pakujdesshme.
Një nga lëvizjet e tij të para ishte reduktimi i taksave mbi pasurinë. Taksat e vjetra të pasurisë ishin joefikase dhe shpeshherë janë shmangur.

Por heqja e tyre duhet të kishte shkuar krah për krah edhe me rritjen e ndihmës për njerëzit në vështirësi. Po ashtu, rritja e taksave të naftës, e cila edhe pse një politikë e gjelbër e shëndoshë, duhet të ishte parë më me kujdes në drejtim të efekteve që ajo do të kishte, siç ishte edhe ai që pati mbi njerëzit e varfër të zonave rurale dhe të largëta, të cilëve u duhet të bënin shumë kilometra për të shkuar në punët e tyre.
Një ndër etiketimet më të rënda ndaj ish-bankierit është se ai është “Presidenti i të pasurve”. Shumë francezë e besojnë një gjë të tillë dhe ndoshta kjo është arsyeja se përse rreth 75% e tyre i mbështetën protestuesit.

Ashtu si fushata elektorale e z. Macron, protestuesit organizohen nëpërmjet rrjeteve sociale. Por ndryshe nga fushata, ata janë pa udhëheqës dhe nuk kanë një axhendë me pika specifike, prandaj është thuajse e pamundur për të negociuar. Protestat e ditëve të fundit janë ndër më të këqijat që prej vitit 1968.

Ndryshimi i vendimit të z. Macron për të anuluar rritjen e taksave të naftës, i marrë më 5 dhjetor, duket i pamundur për këtë vit dhe për fillimin e 2019-s, dhe mund të ndikojë në nxitje të mëtejshme të protestave dhe të konflikteve. Një pjesë e madhe e protestuesve, të njohur edhe si “jelekët e verdhë”, përveç uljes së taksave të naftës kishin edhe kërkesa ekstremiste si rrëzimi i qeverisë, dorëheqja e z. Macron dhe krijimi i një Parlamenti të ri. Por edhe rritja e mëparshme e taksës së naftës, e cila hyri në fuqi në janar të vitit të kaluar, ende nuk është anuluar.

 

Njeri në fund të fundit

Reagimi i fundit i qeverisë franceze për të anuluar rritjen e taksave të naftës mund ta dëmtojë shumë keq figurën e Presidentit Macron. Sepse fakti që ai lëshoi pe kësaj here dhe u mund nga turmat e protestuesve në rrugë mund t’i bëjë këta të fundit të mendojnë se ai mund të tërhiqet lehtësisht sa herë që ata t’ia kërkojnë një gjë të tillë, duke nxitur në këtë mënyrë zhvillimin e protestave të tjera.

Ekziston një presion shumë i madh ndaj z. Macron për të rikthyer tatimin mbi pasurinë dhe reforma e mëtejshme tani duket shumë më pak e mundur sesa më parë. Megjithatë, atë e pret një punë e vështirë përpara. Një prej reformave të ardhshme të cilën z. Macron e ka planifikuar prej kohësh, por që është vonuar si pasojë e ngjarjeve të fundit, është sistemi i pensioneve të Francës. A do të thotë kjo situatë se populizmi duhet të triumfojë dhe reformat gjithmonë do të kundërshtohen? Arritja në këtë përfundim do të ishte shumë e lehtë.

Z. Trump ka fituar mbështetjen e bazës së tij, duke u ofruar amerikanëve shkurtime taksash që nuk janë të përballueshme në një periudhë afatgjatë. Në Itali, koalicioni qeverisës me shumicë populiste premton të ulë moshën e pensionit, duke ofruar reduktim të taksave. Edhe Vladimir Putin nuk pati guximin të përballej me pensionistët rusë gjatë këtij viti. Megjithatë, jo gjithçka ka marrë fund për z. Macron. Ai ka ende mundësi për ta shpëtuar veten dhe mënyrat janë të shumta.

Së pari, ai duhet të tregojë se ku qëndrojnë përparësitë e tij. Do të jetë e shtrenjtë, por nevojitet një formë e kreditimit të tatimit mbi të ardhurat e fituara: një subvencionim i duhur për rritjen e nivelit të ulët të pagës që të nxisë edhe dëshirën e njerëzve për të punuar. (Një ekziston tashmë, por është shumë e vogël. Z. Macron ka premtuar ta rrisë atë, por vetëm në mënyrë të ngadalë). Kjo duhet të kishte shoqëruar edhe me heqjen e taksës së pasurisë.

Së dyti, ai dhe qeveria e tij duhet të bëjnë më shumë për të promovuar dhe për të shpjeguar gjërat e mira që ata kanë bërë, por që janë nënvlerësuar, siç janë investimet në praktikë, apo lëvizjet që do të bëjnë të mundur që bizneset të punësojnë një numër më të madh të rinjsh me kontrata afatgjata. Shkalla e papunësisë është ulur me gjysmë për qind, megjithëse është ende e lartë në 9.1%. Dhe së treti, edhe vetë z. Macron duhet të ndryshojë. Bindja e tij se francezët duan që Presidenti i tyre të jetë Jupiterian është tërësisht e gabuar. Edhe në bazë të anketave të ndryshme, ka rezultuar se një prej Presidentëve francezë më të pëlqyer të të gjitha kohërave ka qenë Jacques Chirac, që ishte me shumë të meta, duke filluar nga dobësia e tij për pijen dhe për duhanin.

Në një epokë ku populistët do të bëjnë dhe thonë gjithçka ata duan, një politikan që nuk mund t’i bindë njerëzit e zakonshëm që ai i kupton, i mbështet dhe dëshiron t’i ndihmojë ata, do ta ketë shumë të vështirë betejën për të arritur çfarëdolloj gjëje. Nuk duhen fuqi mbinjerëzore për të reformuar Francën, mjaftojnë vetëm ato njerëzore, të durimit, bindjes dhe përulësisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?