Shkatërrohet banda e drogës italo-shqiptare, konkurronte Ndranghetan
Policia e Italisë ka vënë në pranga 4 shqiptarë e 3 italianë, si anëtarë të një bande trafikantësh droge.
Lënda narkotike e tipit kokainë transportohej nga Belgjika drejt Italisë.
Në pranga janë vënë shqiptarët Bledar Shtembari, e Armand Cuni. Në arrest shtëpiak janë vënë italianët Angelica Cazzato, Domenico Pennacchietti, Massimiliano Petrucci, si dhe shqiptari Rudenc Medolli. Anëtari i shtatë i bandës është shqiptari Erjon Collaku, i arrestuar në aeroportin e Barcelonës.
Shqiptarët e arrestuar janë me leje të rregullt qëndrimi në Itali por me procese gjyqësore të hapura me drejtësinë italiane.
Kjo bandë furnizonte me kokainë territorin e provincës së Viterbos dhe hetimet e policisë italiane kanë zbardhur se konkurronte në tregun e drogës me klanet e mafias kalabreze Ndrangheta të drejtuara nga Ismail Rebeshi e Giuseppe Trovato.
Operacioni i antidrogës italiane i koduar “Underground” nisi hetimet në vitin 2015 pas denoncimit të një shtetasi maqedonas, i cili rrëfeu se u dhunua fizikisht nga anëtarët e kësaj bande.
Banda italo-shqiptare për shpërndarjen e drogës kishte krijuar një rrjet të gjerë korrierësh.
Pasi mbërrinte në Viterbo kokaina konfeksionohej në doza të vogla, fshihej në kavanoz me oriz për ta ruajtur nga lagështira e fshihej nën tokë në një zonë pyjore të territorit.
Gjatë hetimeve janë identifikuar disa raste të tregtimit të kokainës, e gjatë operacionit është mundur të sekuestrohet vetëm një sasi e vogël droge rreth 700 gramë e një cilësie mjaft të pastër.

KOHA JONË SONDAZH

