Situata në centralin bërthamor të Zaporizhias, Zelenskyy: Shumë e pasigurt dhe e rrezikshme
Volodymyr Zelenskyy ka thënë së fundmi se situata në termocentralin bërthamor të Zaporizhias mbetet “shumë e pasigurt dhe e rrezikshme”. Komentet e tij vijnë pasi centrali rifilloi pas një ndërprerjeje, furnizimin me energji elektrike të Ukrainës.
Në fjalimin e tij të rregullt në mbrëmje zoti Zelenskyy tha se “çdo veprim i Rusisë që mund të shkaktojë mbylljen e reaktorëve, do ta vendoste edhe një herë centralin një hap larg katastrofës”.
Kompania shtetërore bërthamore “Energoatom” bëri të ditur të premten se dy nga gjashtë reaktorët e termocentralit ishte rilidhur me rrjetin elektrik ukrainas.
Autoritetet në Kiev thanë se reaktorët u shkëput nga rrjeti për herë të parë në historinë e tij të enjten, pasi një zjarr i shkaktuar nga sulmet me artileri dëmtoi një linjë elektrike.
“Stacioni i energjisë bërthamore Zaporizhia është i lidhur me rrjetin dhe po prodhon energji elektrike për të plotësuar nevojat e Ukrainës“, thuhej në një deklaratë të ‘Energoatom’.
Impianti ka nevojë për energji për të vënë në punë sistemin e ftohjes së reaktorëve dhe çdo ndërprerje e zgjatur e energjisë mund ta vendosë centralin në rrezik shkrirjeje.
Ndërprerja e energjisë në central rriti frikën për një katastrofë bërthamore në një vend që ende “përndiqet” nga shpërthimi i vitit 1986 në Çernobil.
KOHA JONË SONDAZH

