Home ShowBiz Cikli i dhunë...

Cikli i dhunës në median shqiptare

137
0

Dhuna është fenomeni më shkatërrues në një shoqëri, pasi jo vetëm terrorizon viktimën, por prodhon të njëjtin veprim, i cili përzihet me inatin, mllefin, pamundësinë për të ngritur zë e dorë ndaj abuzuesit. Dhuna është nëna e të këqijave, por si një nënë, respektohet masivisht nga mediat tona, duke harruar se kur respektojnë dhunën, nënshtrojnë viktimën.

Rasti më i freskët qe ai i një vajze të re në moshë, e cila u kap “me presh në duar” nga vjehrra, vjehrri, që kishin thirrur gjithë farefisin për ta dëshmuar “krimin e paparë” që po ndodhte në shtëpinë e tyre. Vajza e gjorë, e kapur në befasi klithte nga tentativat makabre për ta treguar lakuriq përpara kamerës.

Luana Vjollca shënjoi në fytyrën e saj një hematomë grushti, të cilën e hasim shumë shpesh në trupin e një gruaje të dhunuar. I gjithë ky impenjim maksimal për të na paraqitur një realitet që ne e dëshmojmë përditë, por sipas Luanës, me një makeup dhe foto profesionale.

Sigurisht, e gjitha pati edhe një “parathënie” mediatike, ku Luana u paraqit me disa shenja në fytyrë, ndërkohë që bëhej gati t’i jepte makinës.

Përpos ndoshta dëshirës së mirë për t’u ndërgjegjësuar dhe për të mbajtur anën e viktimës, meqë rrallëherë një grua e dhunuar ka mbrojtjen dhe nëse jo mbrojtjen, mbështetjen tonë; sërish, tentativat e Luanës më duken “too much”. Personalisht, më duken sikur s’merren seriozisht traumat e dhunimit të një gruaje, e cila thjesht qarkullon në rrugë me një sy të nxirë, duke gjetur justifikime të çfarëdoshme kur e pyesin. Një fqinja ime thoshte shpesh “Eh, i rashë kanatit të bufesë padashje”, ndërkohë që i gjithë pallati i kishte dëgjuar ulërimat e saj. Gjithashtu, do të ishte mirë që këto dy raste të lidheshin me njëri-tjetrin, por fatkeqësisht, Luana, e cila inkurajon vajzat dhe gratë që të flasin, përmes projektit të saj më të ri, nuk ka bërë asnjë reagim për rastin e vajzës që u masakrua në rrjetet sociale. Për mendimin tim, është e habitshme, por arsyet mund të jenë të shumta; ndoshta Luana s’e cilëson si mjaftueshëm të rëndësishëm, mbase është tejet e zënë, ose edhe mbase nuk e ka parë.

Për mua, kjo qe dhuna, terrori, pasiguria në shtëpi dhe sot, kur e shoh nëpër median shqiptare dhe nga personazhe publikë se si trajtohet i gjithë cikli i një plage të tillë, ndihem po aq e pafuqishme sa ndihesha kur isha fëmijë dhe strukesha në krevat, ndërkohë që fqinja ime klithte, çirrej e qante. Trajtimi i sotëm, me video që shpërndahet nëpër JOQ, e në të gjitha portalet e tjera, si dhe pamjet e Luanës më bëjnë të mendoj se në fakt, si përherë, kur bie fjala për të tilla kauza, bëhet një “vrimë në ujë”.

Cikli i dhunës është i thjeshtë: viktima dhunohet, ajo rreket të kërkojë ndihmë, filmohet – bëhet virale. viktima dhunohet. Cikli i dhunës është i mbyllur; sytë tanë për të parë rrugëzgjidhje gjithashtu. /Anabel.al/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Showbizi

Më shumë nga Showbiz

Lajmet e Fundit

Te Fundit