Home Sporti Daja: Nuk men...

Daja: Nuk mendojmë për derbin, ndaj Kukësit duhet të marrim 3 pikët

38
0

Partizani do të përballet me Kukësin në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të Abissnet Superiores, në duelin që do të luhet nesër në “Loro Boriçi. Në konferencën për shtyp, trajneri Ilir Daja, ka folur për takimin me verilindorët, të cilin e konsideron shumë të rëndësishme për objektivat e skuadrës.

“Jo vetëm me Kukësin, por edhe me ekipet e tjera si Dinamo, është kjo vështirësi, por kemi rënë dakord mes stafeve, që në javët e përballjeve direkte dikush zhvendoset, ose nuk stërvitemi në të njëjtin orar. Kukësi është një skuadër e vështirë, që mban shumë topin dhe organizon manovrën nga mbrapa, ndaj ka një meritë edhe trajneri, që ka ditur t’u marrë më të mirën futbollistëve në dispozicion. Edhe ne kemi meritë për atë që kemi bërë në javët e fundit dhe e kemi përgatitur shumë mirë përballjen e nesërme, ndonëse kemi pasur mungesa për shkak të virozave. Kemi edhe seancën e fundit për të vendosur për formacionin dhe do të shkojmë në Shkodër për tre pikë.

Mungesat vijojnë të jenë problem për Partizanin?

Pothuajse ka munguar komplet boshti i ekipit, duke filluar nga kapiteni Alban Hoxha, por edhe lojtarë të tjerë. Natyrisht që eksperienca e tyre dhe angazhimi në boshtin e ekipit, janë të rëndësishme, por jemi munduar t’i zëvendësojmë denjësisht. Edhe nesër shpresoj t’i zëvendësojmë sa më mirë dhe uroj të mos na shoqërojnë më këto problematika.

Çfarë dhurate do të donit t’u bënit tifozëve për vitin e ri, duke qenë se luani ndaj Kukësit dhe më pas derbin me Tiranën?

Luajmë me vendin e parë dhe të dytë në klasifikim, pasi kështu ka koiciduar kalendari, por do të thosha se nesër duhet të futemi në fushë vetëm për ta fituar ndeshjen, pasi vetëm në këtë mënyrë do të merrnim një qetësi psikologjike. Nuk e mendojmë derbin e të enjtes, pasi edhe ajo ndeshje vlen tre pikë, sa Kukësi apo të tjerat, megjithatë do të luftojmë fort që të shkojmë më të qetë në atë përballje.

Mendoni se me dy fitore në këto ndeshje, mund të riktheheni në garën për titull?

Nuk do të përmendim më fjalën kampion apo titull, pavarësisht se jemi ndërtuar për objektiva madhorë. Fjala jonë është rikuperimi, pasi duhet të rikuperojmë defektet dhe gabimet që kemi bërë në fazën e parë. Distanca me kreun është e madhe, por jo e parikuperueshme, pasi që nesër luajmë me vendin e dytë dhe marrja e një fitoreje do të thotë që mund të rikuperojmë jo pak.

Situata e këtij sezoni ngjan shumë me atë të një viti më parë …?

Presioni për të marrë patjetër fitoren, bën që shpesh lojtarët të mos japin atë që kanë, pasi ana psikologjike shndërrohet në një element frenues. Ne nuk do të heqim dorë nga pretendimet, pasi jemi edhe në çerekfinale e Kupës së Shqipërisë, por fillimisht duhet të konsolidojmë veten në rezultate dhe lojë, për të shfaqur më mirë potencialin që kemi. Për momentin nuk na lejohet të përmendim fjalën titull.

A keni folur me drejtuesit për merkaton e janarit, që është shumë pranë?

Po punon drejtori i klubit për merkaton e janarit dhe po shqyrtojmë disa alternativa. Do të fokusohemi aty ku kemi më shumë nevojë, por nuk do të afrojmë lojtarë të njëjtit nivel. Nëse duhet të marrim futbollistë, do të kërkojmë elementë që mund të bëjnë diferencë, gjë që është e vështirë në janar.

Kush përzgjedh lojtarët, trajneri apo drejtori sportiv?

Marrëdhëniet me menaxherët i ka drejtori, pasi nuk mundet të merret me këtë punë trajneri, por ne punojmë si staf. Kemi dhënë përshkrimet dhe karakteristikat e lojtarëve që duam dhe më pas të gjithë së bashku do të konsultohemi për të marrë një vendim. Bashkëpunimi është çelësi i suksesit.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Sporti

Me shumë nga Sport

Lajmet e Fundit

Te Fundit