Home Aktualitet David Cameron...

David Cameron ndërpret vizitën në Tiranë

41
0

David Cameron, Sekretari britanik për Çështjet e Jashtme ndërpreu befas vizitën në Shqipëri. Pas takimit dhe konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, burime për BalkanWeb bëjnë të ditur se Cameron është nisur menjëherë drejt aeroportit të Rinasit.

Brenda pak minutave zyrtari i lartë i qeverisë britanike është larguar nga Shqipëria.

Takimet e planifikuara në agjendën paraprake me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj dhe drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, nuk u zhvilluan.

Mediat britanike zbulojnë arsyet

Mediat e Londrës flasin për zhvillime të rëndësishme në kabinetin e Rishi Sunak. Ky i fundit ka njoftuar një mbledhje urgjente të kabinetit qeveritar gjatë kësaj pasditje dhe ka zëra se kryeministri mund të njoftojë datën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Pritet që Sunak të njoftojë një datë gjatë muajve të verës. The Independent tregon detaje nga mbledhja urgjente e Sunak, ndërsa njofton edhe ndërprerjen e vizitës së Cameron në Tiranë.

“Spekulimet janë në rritje, Sekretari i Jashtëm David Cameron ka ndërprerë udhëtimin e tij në Shqipëri për të marrë pjesë në takimin urgjent të sotëm pasdite që pritet rreth orës 16:00. Sekretari i Mbrojtjes Grant Shapps gjithashtu ka shtyrë fluturimin e tij për të marrë pjesë në një takim të NATO-s në shtetet baltike.

Rishi Sunak është përballur me muaj të tërë presion për të shpallur datën e zgjedhjeve. Dhe për këtë thashethemet për zgjedhje të parakohshme po rriten në ëestminster dhe zërat janë për një garë elektorale gjatë muajve të verës”, shkruan media britanike.

“Deputetët tani besojnë se Rishi Sunak është në prag të thirrjes së zgjedhjeve të përgjithshme në orën 17:00 këtë pasdite. Një nëpunës civil dhe një ministër kanë informuar veçmas se një shpallje zgjedhore “do të ndodhë” pasi kabineti do të bëhet gati për t’u mbledhur në një seancë urgjente në orën 16:00″.

Po ashtu, mediat britanike, duke iu referuar burimeve pranë qeverisë Sunak kanë shpallur edhe datën e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 korrik.

Megjithatë, The Independent njofton edhe për një plan B të Sunak, jo zgjedhje të parakohshme, por një lëvizje si ajo e Gordon Brown, një aleancë fluide për të vazhduar qeverisjen./bw/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit