Home Rajoni Dhimbje e kre...

Dhimbje e krenari në Prekaz, politika nderon Jasharajt: Frymëzim për shqiptarët

30
0

Dita e dytë e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisi me homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Krerët e shtetit dhe përfaqësues të partive politike dhe institucioneve nderuan sakrificën e komandantin Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të tjerë të familjes Jashari që u vranë 26 vite më parë.

“Epopeja e UÇK është Epope e krenarisë së popullit tonë, është Epope që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë e mbi të gjitha është Epope që simbolizon lirinë që e gëzojmë ne sot. Prandaj familja Jashari do të mbesin për jete udhërrëfyes për brezat e tanishëm, por edhe për brezat që do të vinë pas nesh”, tha Presidentja Vjosa Osmani.

“Për sa kohë të ketë popull shqiptar, kombi ynë për sa të ekzistojë, gjithmonë do të jetë një vend ku përkulemi por vazhdimisht gjejmë frymëzim dhe patetizëm se si të mbrohet vendi dhe si të ushqehet liria”, tha kryekuvendari Glauk Konjufca.

“Vetëflijimi, sakrifica, vetëmohimi i Jasharajve është Epopeja e UÇK-së në themelet e çlirimit të vendit tonë që paraqet edhe dhimbje e krenari por edhe besë dhe shpresë për shtetin tonë”, u shpreh kryeministri Albin Kurti.

Homazhe bënë edhe përfaqësues të partive politike, por edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së të cilët u shprehën se sakrifica e Jasharajve zgjoi vetëdijen kombëtare dhe mori vëmendjen ndërkombëtare e i dha hov luftës çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë.

“E kemi për obligim jo vetëm ta kujtojmë me krenari, nder e respekt gjithmonë sakrificën titanike të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari por edhe të frymëzohemi gjithmonë nga kjo sakrificë e lavdishme për të bërë punë të mira për vendin tonë dhe për qytetarët tanë”, deklaroi kreu i PDK, Memli Krasniqi.

“Në botë ka shumë shembuj të luftëtarëve dhe kombeve për liri, e tillë është edhe sakrifica e Jasharajve. Jemi këtu që t’i përmbahemi zotimit të kahershëm që ne si LDK gjithnjë do i respektojmë vlerat dhe ato mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë”, tha nënkryetari i LDK, Anton Quni. Liderët shtetërorë dhe përfaqësuesit politikë më pas janë pritur edhe në oden e Jasharajve nga Rifat Jashari dhe pjesëtarë të tjerë të familjes.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit