Home Forum Dy fjalë për ...

Dy fjalë për statusin legal të të dhënave që kanë dalë nga platforma SKY

68
0

Nga Ylli Manjani

Gjithnjë në interes të publikut dhe, ndoshta edhe për të ndihmuar ata gazetarë që duan të kuptojnë se nuk bëhet lajmi sipas qejfit, pa iu futur fare interesit të personave konkretë të hamendësuar si përdorues të këtyre platformave, duhet sqaruar se:

1. Në këto platforma shteti Francez, Belg dhe Hollandez ka ndërhyrë me teknikë të sekretuar, sipas ligjeve të vendeve të tyre. Pra bënë ligje,pastaj ndërhynë.

2. Ndërhyrja që kanë bërë ka qenë e autorizuar nga gjykatës. Në Francë ndërhyrja në platformën SKY është autorizuar në funksion të hetimit të trafikut të drogës nga shtetas Francezë. Këtë informacion e kam siguruar në Francë në rrugë private, se në Shqipëri askush s’të thotë asgjë.

3. Teknikisht ndërhyrja në platfornën komunikuese private SKY është bërë me një software, liçensa e të cilit nuk tregohet. Nëse këtë ndërhyrje do ta bënte një privat do quhej hakerim. Pra në thelb procesi teknik është hakerim, por me që franca e ka me ligj quhet ndërhyrje në komunikim. Shqipëria nuk e ka këtë ligj, ndaj e dhëna e marrë në këtë mënyrë është e hakeruar, pra e paligjshme. Software i prodhuar ndërhyn në komunikim dhe jemi para përgjimit masiv, ligjërisht në Shqipëri kjo ndalohet.
Por pyetja që shtrohet këtu është: a mund të fillohet hetim penal procedural me të dhëna të hakeruara?!

4. Të dhënat e siguruar nga ndërhyrja në këto platforma iu dhanë Europol. Ky i fundit i shpërndau policive të vendeve që mund të kishin interes për hetime të mëtejshme. Në këtë kuadër të dhënat në gjuhën shqipe iu sollën Shqipërisë. Nuk dihet përse Europol nuk ja dërgoi policisë së shtetit, por BKH?! Sidoqoftë ato janë të dhëna policore që vijnë në kuadër të shkëmbimit ndërpolicor, kurrsesi prova gjyqsore.

5. BKH ka bërë një punë seleksionuese paraprake duke grupuar disa kode pin, sepse përdoruesit e këtyre platformave nuk identifikohen me emra por me kode të përbëra nga numra dhe germa, sipas natyrës së bisedave të bëra.

6. Mbi këtë bazë, SPAK i kërkon zyrtarisht informacion autoriteteve Franceze, me shunë gjasë edhe Belge e Hollandeze, që të dhënat e kërkuara të vijnë zyrtarisht nëpërmjet letër porosisë (intrumebt ligjor transporti legal i të dhënave hetimore).

7. Përgjigja e letërporosisë shënon fillimin zyrtar të hetimeve në kuptimin procedural. Kjo është situata sipas kronologjisë së ngjarjve. Tani jemi përpara problemeve ligjore të cilat sjell ky proces. E përsëris nuk ka lidhje ky arsyetim me personat konkretë, por me interesin publik për proces të rregullt e me garanci.

1. Ligji ynë që të quajë provë një të dhënë kërkon medoemos të tregohet mënyra e ligjshme e marrjes së saj. Letërporosia nuk mjafton. Ajo është “kamioni” që transporton mallin, por nëse malli është drogë, pavarësisht se përdorimi i saj mund të duhet për përdorim spitalor, duhet treguar burimi i ligjshëm. Prokuroria jonë nuk e tregon burimin.

2. Këto të dhëna janë siguruar nga platforma komunikimesh, pra ligjet e përgjimit janë të zbatueshme. Prokuroria jonë thonë se nuk janë përgjime por dokumenta!!! Pyetjes nga kanë dalë këto dokumenta nuk i përgjigjet.

3. Pyetjes se përse kodet pin përkojnë me personat e marrë nën hetim,prokuroria nuk i është përgjigjur me ansjë veprim procedural identifikimi. Por mbetet në hamendësim.

4. Ligji ynë thotë se asnjë provë nuk ka vlerë të paracaktuar. Dmth që të krijohet një bindje duhet që e dhëna të shoqërohet edhe me të dhëna ose prova të tjera që vlerësohen njësoj. Aktualisht ekzistojnë vetëm disa të dhëna të cilat edhe ato nuk vihen në dispozicion të mbrojtësve (shkelje tjetër kjo), që i ngjajnë një romani thrill, dhe që SPAK mund t’i kishte shitur në Panair si roman, por jo prova në kuptimin ligjor e gjyqsor të fjalës.

5. Në mungesës së garancive, personat në hetim në këtë vend mund të arrestohen dhe këto të dhëna, që për avokatët janë sekret, i jepen medias për të bërë gjyqin popullor. Kjo është situata.

Tani edhe një gjë të fundit kam për median dhe politikanët: U lutem të përpiqen të kuptojnë se, po ti kishte provat prokuroria për të formuluar akuzat që ata i formulojnë pa teklif, sot do kishim të pandehur dhe me akuza konkrete. Por jemi në fazën e hamendësimeve. Siç e dini me hamendësime drejtësia e re të arreston sot…!!! Njësoj vlen llogjika edhe kur shteti ndërhyn brutalisht tek ata, pra media dhe politikanët. Ndaj akuzës gjithkush ka të drejtë të mbrohet me mjete ligjore dhe në proces të rregullt. Hamendësimet nuk janë as informacion, as politikë e as drejtësi.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit