Gjatë fjalës së tij në forumin për inteligjencën artificiale në Cernobbio të Italisë, kryeministri Edi Rama u ndal te ideja e integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Rama theksoi se procesi aktual i anëtarësimit duhet të reformohet dhe se integrimi gradual do t’u mundësonte vendeve të rajonit të përfshiheshin më herët në strukturat dhe mekanizmat europianë.
“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda dhe për ta nisur nga pjesa reale: tregu i përbashkët, të qenit pjesë e Europës së universiteteve, shkëmbimeve, të të gjithë elementëve shumë të rëndësishëm, para se të mendojmë për pjesën tjetër”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh gjithashtu skeptik se Shqipëria mund të anëtarësohet në BE me të gjitha kompetencat që kanë aktualisht shtetet anëtare, veçanërisht sa i përket të drejtës së vetos.
“Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk besoj se disa kryeqytete do të kenë aftësinë t’i thonë publikut: ‘Do ta marrim Shqipërinë me kompetencën e vetos’”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, Shqipërisë nuk i nevojitet domosdoshmërisht e drejta e vetos për të qenë pjesë e tryezës europiane, ndërsa vlerësoi se një zgjerim i tillë do të ishte në interes edhe të vetë Bashkimit Europian.
“Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës. Imagjinoni të kesh edhe 7 të marrë të tjerë të ulur rreth asaj tryeze. Do të ishte më mirë për Europën dhe për ne”, vijoi Rama.



