
Arsenali po fluturon në këtë sezon të Premier League, duke dhënë një tjetër demonstrim force në derbin londinez ndaj Tottenham, të cilin e mposhti bindshëm 4–1 në “Emirates”, në kuadër të javës së 12-të.
Skuadra e Artetës zhbllokoi ndeshjen në minutën e 36-të me një aksion model: Mikel Merino dhe Leandro Trossard shkëmbyen pasime të shpejta, me belgun që e dërgoi topin në rrjetë. Vetëm pesë minuta më vonë, blerja e bujshme e verës, Eberechi Eze, dyfishoi avantazhin me një finalizim të shkëlqyer, duke mbyllur pjesën e parë 2–0 për “Topçinjtë”.
Me të njëjtin ritëm shpërthyes nisi edhe pjesa e dytë. Arsenal fitoi topin në zonën e kundërshtarit përmes Bukayo Saka-s, Declan Rice dha asistin dhe Eze shënoi me të majtën golin e tij të dytë personal, duke e çuar rezultatin në 3–0. Tottenham reagoi në minutën e 54-të me një supergol të Richarlison, i cili shfrytëzoi gabimin e Zubimendit dhe goditi nga distanca, duke e befasuar portierin Raya.
Por mbrëmja i takoi vetëm një njeriu: Eberechi Eze. Në minutën e 75-të, ai kompletoi tregolëshin pas një asistimi të Trossardit, duke vulosur fitoren e Arsenalit 4–1 dhe konfirmuar formën e jashtëzakonshme të skuadrës së Artetës. Me këtë triumf, Arsenali ngjitet në kuotën e 29 pikëve dhe kryeson i vetëm Premier Leaguen, duke mbajtur 6 pikë distancë nga Chelsea.
