Amaneti i Rexhep Qoses si një akt-akuzë, etika e fundit e një dinjiteti që refuzoi të përdhoset
Nga Albert Vataj
Kur një emblemë e integritetit intelektual dhe moral, përfaqësuesi më i denjë i vlerave dhe atributeve të përkatësisë sonë, “Nderi i Kombit”, Rexhep Qosja, artikulon amanetin e vet, ai nuk lë thjeshtë një amanet, ai nuk lë pas një dëshirë procedurale për mënyrën e lamtumirës.
Burri i urtë dhe fisnik, i keqkuptuar më shumë se i dakordësuar, i përkushtuar dhe jo dhe aq i vlerësuar, kontribues i çështjes kombëtare jo vetëm përmes letërsisë, por çdo fjale dhe mendimi që hodhi në themelët e atij altari dinjiteti, që ai ngriti në një truall që lëkundej, në kapërcyellin e kohërave dhe rrëmeteve historike dhe identitare, ai Rexhep Qosja, siç jetoi i përkorë, edhe iku dinjitetshëm, madje duke u’a pamundësuar gjithkujt që të keqpërdorte edhe largimin e tij për kapital politik dhe hipokrizi.
Ai shkroi një tekst të fundit, një deklaratë të përmbledhur të gjithë jetës së tij intelektuale, një përfundim logjik të një ekzistence të jetuar në raport të tensionuar me të vërtetën, pushtetin dhe iluzionin kolektiv. Amaneti që ai la nuk është një akt privat, por një formë e rrallë e ndërgjegjes publike që shfaqet në çastin kur çdo interes personal është shuar. Pikërisht për këtë arsye ai merr peshën e një aktakuze. Po, një denoncimi, një ngritje zëri, një mos’heshtje, një fjalë që zgjodhi ta thoshte nga një foltore eterne, për njerëzit tokësor të atij trualli të vaditur me gjak dhe të lëruar me varre, për ata njerëz që shitën gjakun e të rënëve dhe shpërdoruan jetët e flijuara.
Refuzimi i ceremonisë shtetërore, madje edhe i pritjeve në familje, nuk është një gjest modestie i zakonshëm, as një dekor moral për t’u dukur i përulur në sytë e të tjerëve. Ai është një demaskim, një thirrje e zëshme e një njeriu të urtë që i’a lejon vetes qoftë një herë të vetme të kushtrojë deri në rrokaqiellje.
Në një shoqëri ku shteti shpesh e përdor vdekjen e figurave të mëdha si një ritual përvetësimi simbolik, si një mundësi për të rikthyer në narrativën e vet atë që nuk e ka dëgjuar, nuk e ka mbështetur, madje shumëherë e ka kundërshtuar gjatë jetës, ky refuzim është një ndërprerje brutale e këtij mekanizmi, njw çjerrje maskash. Qosja, me një fjali të vetme, ia mohon pushtetit të drejtën për të bërë atë që ai e bën më së miri, të vonojë njohjen dhe ta teatralizojë atë në momentin kur nuk ka më rrezik kritik.
Kjo është një akuzë ndaj hipokrizisë institucionale. Një sistem që nuk di të bashkëjetojë me kritikën në kohë reale, përpiqet ta neutralizojë atë në retrospektivë, duke e kthyer në monument. Por monumenti është forma më e rafinuar e heshtjes. Ai ngre lart figurën, por e zbraz nga tensioni i mendimit të saj.
Duke refuzuar ceremoninë shtetërore, Qosja refuzon të bëhet monument, pra refuzon të neutralizohet. Ai zgjedh të mbetet i pakapshëm, i paabsorbuar, një ndërgjegje që nuk mund të institucionalizohet as pas vdekjes.
Po aq domethënës është refuzimi i ritualit fetar. Ky nuk është një akt i thjeshtë mosbesimi, por një deklarim epistemologjik. Ai është besnik ndaj një sistemi mendimi që e ka ndërtuar mbi racionalitetin, mbi kritikën dhe mbi përparimin shoqëror si proces historik, jo si shpëtim metafizik. Në kontekstin shqiptar, ku religjioni shpesh funksionon si identitet kulturor më shumë sesa si përvojë e brendshme shpirtërore, ky refuzim merr një dimension tjetër, ai është një ndarje nga një formë kolektive e vetëkuptimit që shpesh maskon boshllëkun me simbolikë.
Në këtë mënyrë, edhe në vdekje, Qosja ruan koherencën e tij intelektuale. Ai nuk lejon që ceremonia ta përgënjeshtrojë jetën. Sepse për një mendje kritike, kontradikta mes asaj që ke jetuar dhe asaj që të përfaqëson pas vdekjes është forma më e rëndë e tradhtisë ndaj vetvetes. Amaneti, në këtë kuptim, është një mbrojtje e fundit e integritetit.
Thirrja për një varrim të thjeshtë, pa fjalime, pa media, pa lule, është një tjetër dimension i kësaj aktakuze. Në një kulturë ku vdekja shpesh shndërrohet në spektakël, ku dhimbja teatralizohet dhe retorika zë vendin e reflektimit, kjo kërkesë është një çmitizim radikal. Ai zhvesh vdekjen nga dekorimi dhe e kthen në thelbin e saj, një akt njerëzor, i heshtur, i pakapshëm nga retorika. Kjo është një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj kulturës së sipërfaqes, ndaj nevojës për të mbushur çdo boshllëk me fjalë, çdo dhimbje me ceremonial.
Por kulmi i kësaj aktakuze qëndron në përmbysjen e raportit individ–shtet, në idenë e borxhit. Kur ai deklaron se nuk i ka mbetur borxh vendit, por lë të hapur mundësinë që vendi t’i ketë mbetur borxh atij, kemi një inversion të fortë moral dhe historik. Kjo nuk është një shprehje vetëvlerësimi, por një sfidë ndaj kujtesës kolektive.
Është një pyetje e heshtur, por therëse, a e ka njohur shoqëria vlerën e mendimit kritik në kohën e duhur? Apo e ka konsumuar atë si një luks, pa e internalizuar realisht?
Këtu amaneti bëhet një instrument gjykimi për të ardhmen. Ai nuk jep përgjigje, por vendos një standard. Dhe standardet kanë këtë natyrë të pamëshirshme, ato nuk kanë nevojë të akuzojnë drejtpërdrejt, sepse vetë ekzistenca e tyre zbulon mungesën përreth. Në këtë kuptim, amaneti i Qoses është një pasqyrë, dhe çdo shoqëri që e sheh veten në të duhet të përballet me atë që nuk ka arritur të jetë.
Edhe pranimi i mëkatit, larg çdo mitizimi të vetes, është pjesë e kësaj etike. Ai nuk flet si një figurë e paprekshme, por si një njeri që e njeh kufirin e vet. Dhe pikërisht kjo e bën më të rëndë aktakuzën e tij. Sepse ajo nuk vjen nga një pozitë superioriteti moral, por nga një përvojë e jetuar, nga brenda vetë strukturës së shoqërisë që ai kritikon. Është zëri i një dëshmitari, jo i një gjykatësi.
Në fund, amaneti i Rexhep Qoses nuk kërkon as shpëtim, as nderim, as rehabilitim. Ai kërkon vetëm një gjë, koherencë. Që jeta dhe vdekja të mos jenë në kundërshtim. Që mendimi të mos tradhtohet nga rituali. Që e vërteta të mos zëvendësohet nga forma.
Dhe pikërisht këtu qëndron forca e tij si aktakuzë. Sepse ai nuk ngre zërin, nuk shpall dënime, nuk artikulon akuza të drejtpërdrejta. Ai vendos një standard të tillë, që çdo devijim prej tij bëhet menjëherë i dukshëm. Në heshtjen e tij të fundit, ai flet më fort se çdo fjalim.
Pyetja që shtrohet është, a do të arrijë shoqëria kosovare në veçanti dhe ajo gjithëshqiptare në përgjithësi, që ta lexojë siç duhet dhe ta kuptojë në thellësi, atë që ju qas realitetit politik dhe shoqëror si një amanet, si një porosi, por edhe si një mësim, në veçanti për politikën, e cila ka treguar mungësë të theksuar përgjegjësie për fatet e vendit.
KOHA JONË SONDAZH

