Shteti si instrument konflikti dhe si projekt zhvillimi!
Nga Luçiano Golemi
Historia politike e Shqipërisë në dekadat e fundit mund të lexohet si përballje mes dy modeleve krejtësisht të ndryshme të qeverisjes dhe të konceptimit të shtetit. Një model që e konsumoi energjinë politike të vendit në konflikt, tension institucional dhe krizë të vazhdueshme dhe një model tjetër që e orientoi Shqipërinë drejt ndërtimit të shtetit modern dhe reformimit institucional. Kur mendimtari Branko Merxhani thoshte se ‘Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për politikë, por për kulturë’, ai nënkuptonte se zhvillimi i një shteti nuk matet vetëm me institucione, por me qytetërim. Pikërisht këtu lidhet Shqipëria me Europën. Europa nuk është vetëm bashkim politik, por nivel qytetarie.
Që prej ardhjes në pushtet, qasja politike e Edi Ramës nuk është ndërtuar mbi logjikën e mbijetesës përmes krizës. Në thelb, projekti i tij politik ka synuar ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni i pafund. Ky është materializuar në disa prej reformave më të thella institucionale që ka njohur Shqipëria pas viteve ’90.
Reforma në drejtësi përbën ndoshta shembullin më domethënës të kësaj qasjeje. Për herë të parë, shteti shqiptar ndërmori një proces rrënjësor për të transformuar sistemin e drejtësisë dhe për të ndërtuar mekanizma më të fortë të pavarësisë institucionale dhe luftës kundër korrupsionit. Pavarësisht kostove politike që preku edhe vetë mazhorancën, kjo reformë e vendosi Shqipërinë në një tjetër raport me Bashkimin Europian dhe me standardet demokratike moderne. Por shtetndërtimi nuk kufizohet vetëm tek drejtësia. Shqipëria ka kaluar gradualisht nga modeli i improvizimit institucional drejt një administrate më funksionale.
Procesi i dixhitalizimit të shërbimeve publike, modernizimi i administratës, transformimi urban dhe konsolidimi i rolit ndërkombëtar të Shqipërisë kanë qenë pjesë e një vizioni më të gjerë për ta kthyer shtetin shqiptar në një vebd të respektuar. Kjo është diferenca thelbësore mes konceptit të shtetit si instrument konflikti dhe konceptit të shtetit si projekt zhvillimi. Pikërisht për këtë arsye, gjatë këtyre viteve Shqipëria arriti të ndryshojë edhe raportin e saj me partnerët ndërkombëtarë. Shqipëria u shndërrua gradualisht në një faktor stabiliteti rajonal dhe në një partner më të besueshëm për Bashkimin Europian dhe aleatët euroatlantikë.
Ky transformim nuk ndodhi rastësisht. Ai lidhet drejtpërdrejt me faktin që qeverisja e majtë e trajtoi integrimin europian jo si slogan elektoral, por si projekt kombëtar. Për këtë arsye, procesi i negociatave nuk u konceptua thjesht si procedurë, por si mekanizëm për të reformuar shtetin shqiptar në çdo sektor. Ndërkohë, opozita shpesh zgjodhi një rrugë tjetër. Në vend të konkurrencës përmes alternativës, u zgjodh politika e bllokimit, e tensionit dhe e delegjitimimit të institucioneve. Protestat e dhunshme, molotovët, sulmet ndaj institucioneve dhe përpjekjet për ta paraqitur Shqipërinë si vend në krizë permanente krijuan një kontrast të fortë mes dy mënyrave të të bërit politikë.
Realiteti politik i viteve të fundit tregoi se cili model prodhoi rezultate konkrete. Më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian konfirmoi progresin e Shqipërisë në negociata dhe hapi një etapë të re drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky moment përfaqëson më shumë sesa sukses diplomatik. Ai është dëshmi se strategjia e reformave po prodhon rezultate të prekshme.
Bashkimi Europian nuk vlerëson retorikën politike. Ai vlerëson funksionalitetin e shtetit, seriozitetin institucional dhe kapacitetin për të realizuar reforma. Pikërisht këto elementë kanë bërë që Shqipëria të afrohet më shumë se kurrë me familjen europiane. Natyrisht, Shqipëria vazhdon të ketë probleme dhe sfida serioze. Asnjë proces shtetndërtimi nuk është i përkryer, por modeli ku shteti shihet si instrument modernizimi dhe integrimi është padyshim modeli i duhur. Në fund, historia nuk gjykon vetëm retorikën e liderëve. Ajo gjykon gjurmën që ata lënë mbi shtetin dhe mbi drejtimin e vendit.
KOHA JONË SONDAZH

