Dilema vetëdemaskuese e qurravitjes politike
Nga Ylli Manjani
Ka vite që një pjesë e politikës përsërit të njëjtën këngë: “votat i bën krimi”, “na mundën bandat”, “rezultatin e vendosën kriminelët”.
Në fillim mund të tingëllojë si alarm. Kur përsëritet pafund, kthehet në vetëdemaskim.
Sepse çfarë po pranon realisht një parti apo politikan që fshihet pas këtij justifikimi?!
Që një person në kërkim, një i dyshuar apo një “kriminel” paska më shumë ndikim politik, më shumë besim, më shumë organizim dhe më shumë aftësi mobilizuese sesa vetë partitë që ekzistojnë vetëm për të bërë politikë?!
Po ky quhet kapitullim politik.
Partitë janë krijuar për të bindur njerëzit, për të marrë vota, për të organizuar shoqërinë dhe për të fituar zgjedhje. Jo kriminelët. Nëse në këtë garë paska fituar “krimineli”, atëherë problemi nuk është vetëm ai. Problemi është politika që ka dështuar në funksionin e vet.
Njëherë mund të ankohesh. Dy herë mund të kërkosh hetim.
Por kur humbja justifikohet gjithmonë me “krimin”, atëherë akuza pushon së qeni dhe bëhet alibi për paaftësinë.
Në fund, qurravitja politike mbërrin në një dilemë që e nxjerr zbuluar vetë:
ose duhet të pranojë se “krimineli” e bën politikën më mirë se partitë dhe politikanët profesionistë; ose duhet të pranojë se populli, që zgjedh më shumë atë ndikim sesa ofertën politike, është vetë i kriminalizuar.
Dhe këtë të fundit nuk kanë guxim ta thonë hapur.
Prandaj mbeten tek ankesa rituale, tek vajtimi periodik dhe tek alibia e përhershme.
Por kujdes: llogjika është e pamëshirshme.
Nëse gjithmonë humb nga “krimi”, atëherë ose nuk di të bësh politikë, ose nuk ke më lidhje me shoqërinë që pretendon se përfaqëson.
Kështu e shoh këtë punë, me thënë të drejtën.
KOHA JONË SONDAZH

