Dëshmia e Mustafa Martinajt në gjykatë: “Visi jetonte nga biznesi, jo nga aktivitet i paligjshëm”

Në dëshminë e dhënë sot në seancën gjyqësore, Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt, u përpoq të paraqesë profilin ekonomik dhe familjar të të birit, duke theksuar se aktiviteti i tij ka qenë i ligjshëm dhe i deklaruar.

Sipas tij, Ervis Martinaj merrej me pika lotosh me licencë që prej vitit 2008 dhe të gjitha detyrimet ndaj kompanive dhe pushtetit vendor kanë qenë të paguara. Ai deklaroi gjithashtu se djali kishte studiuar ekonomi në Itali dhe më pas ishte kthyer në Shqipëri.

Mustafa Martinaj tha se pas ngjarjes së vitit 2018 në Bllok, Ervisi u largua nga Tirana dhe shkoi të jetonte me familjen në Laç, ku qëndroi deri në ditën e zhdukjes, më 9 gusht 2022.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë dëshmisë ai foli edhe për marrëdhënie personale dhe familjare, duke deklaruar se një pasuri e sekuestruar sot në emër të një personi tjetër ishte dhënë si shenjë mirënjohjeje, pasi – sipas tij – i ishte shpëtuar jeta djalit të tij.

Swiss Digital Mobile Reklama

Babai i Ervis Martinajt deklaroi gjithashtu se pas zhdukjes së të birit, policia ka ushtruar kontrolle dhe verifikime të shumta ndaj familjes.

Dëshmia u fokusua kryesisht në burimin e të ardhurave, aktivitetin ekonomik dhe jetën familjare të Ervis Martinajt, ndërsa misteri mbi fatin e tij mbetet ende pa përgjigje.

Pse nuk jep sqarime Policia e Shtetit për fatin e Ervis Martinajt? Dhe pse po heton Prokuroria e Krujës e jo SPAK?

Kanë kaluar vite nga zhdukja e Ervis Martinajt dhe pyetja që vazhdon të qarkullojë në opinionin publik mbetet e njëjtë: si është e mundur që një nga emrat më të njohur dhe më të përfolur të botës së biznesit dhe kronikës shqiptare të zhduket pa një përgjigje përfundimtare institucionale?

Në histori të tilla, heshtja fillon të bëhet vetë lajm.

Sepse kur nuk ka një version përfundimtar nga institucionet, vendin e tij e zënë teoritë, dyshimet dhe perceptimi se diçka po mbahet larg syrit publik.

Sot nuk është më vetëm pyetja se çfarë ndodhi me Ervis Martinajn. Pyetja është: pse nuk ka ende një sqarim të plotë nga Policia e Shtetit?

Nëse institucionet kanë prova për një vrasje, duhet të thonë deri ku ka shkuar hetimi. Nëse ka indicie për zhdukje të organizuar, duhet të tregojnë çfarë po bëhet. Nëse nuk ka prova të mjaftueshme, duhet të thuhet edhe kjo.

Sepse mungesa e komunikimit krijon idenë se ose hetimi ka ngecur, ose ka hyrë në një territor ku interesat janë më të mëdha se kapaciteti institucional.

Një tjetër debat që është ngritur publikisht lidhet me faktin se për shumë njerëz një çështje me këtë profil duhej të ishte nën juridiksionin e SPAK dhe jo të një prokurorie të juridiksionit të zakonshëm.

Argumenti i atyre që shtrojnë këtë pyetje është i thjeshtë: për vite janë përmendur publikisht konflikte të forta, interesa ekonomike, emra me peshë, dyshime për grupe kriminale dhe përfshirje personash me ndikim.

Atëherë lind pyetja: nëse vetë narrativa publike ka qenë kaq e rëndë, pse hetimi nuk u përqendrua menjëherë në strukturën e posaçme?

Por këtu ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Në drejtësi nuk mjafton perceptimi publik.

SPAK nuk merr automatikisht çdo çështje të madhe mediatike. Duhet të ekzistojnë elementë proceduralë dhe juridikë që provojnë kompetencën për krim të organizuar apo vepra të tjera që i takojnë juridiksionit të posaçëm.

Megjithatë, pas kaq shumë kohe pa një përgjigje të qartë, një pyetje mbetet legjitime: A po hetohet një zhdukje e pazbardhur – apo po hetohet një histori që prek interesa shumë më të mëdha sesa një dosje e zakonshme penale?

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?