Home POLITIKE Gjiknuri dhe ...

Gjiknuri dhe Llatja në lagjen Haxhia: Mbështetja për PS-në, është votë për investime dhe paga të larta

64
0

Sekretari i Përgjithshëm i PS-aë, Damian Gjiknuri bashkë me kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja, zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e lagjes Haxhias. Gjiknuri që është edhe drejtues politik i qarkut nënvizoi edhe se kandidati i ofruar nga PS ka gjithë mbështetjen e qeverisë dhe të ekipit politik për të vijuar me punët e mira për qytetin.

“Qeverisja e Elbasanit do mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe do një projekt politik të mbështetur nga një organizatë politike. E them që Gledi s’është vetëm sepse ka një ekip politik. Garancia do organizatë politike. Ky është përfaqësuesi i Edi Ramës, njeriu që mbështet politikat tona këtu. Patjetër këtij i kërkojmë dhe llogari më mirë nesër, gjithmonë për të mirën e qytetarëve. Ky është garancia politike, kjo është gara politike. Dyshja përballë është dyshe totalisht e dështuar, e pashpresë. S’ka pse Elbasani të vërë në pikëpyetje të ardhmen. Për çfarë e duan Elbasanin ata? Ta marrin për të bërë një bunker politik për të punësuar disa militant bashkie dhe zbatuar politikat e Sali Berishës? Do eksportojmë revolucionin apo Elbasani do të vazhdojë këto projektet e mëdha? Të bëhet shëtitorja, të bëhet “Bypass-i”, të zhvillohet qyteti, të rehabilitohet lagjja kala që do jetë një krenari për qytetin. Këto duan elbasanllinjtë. Ky është momenti, hajde ta shfrytëzojmë, votojmë për interesin tone”, tha ai.

Numri dy i socialistëve nënvizoi se alternative përballë është një kandidaturë humbëse që përfaqëson direkt Metën dhe Berishën dhe ka në plan që në Elbasan të zbatojë politikën e tyre. “Ata kundërshtarët duan tani ta paraqesin si garë lokale. Ka ardhur tani Luçi, ish kryetar i PD-së për 10 vjet, ish – kandidat që humbi njëherë zgjedhjet, ai që bënte gjithë politikën e kuadrit këtu në Elbasan dhe e dini vetë ju si është bërë politika e kuadrit, tani thotë e kam garë personale. S’ju vjen mirë që gara të quhet politike. E dini pse? Sepse ai ka frikë të fshehë ‘baballarët’ e vërtetë politikë, Ilir Metën dhe Sali Berishën. Është i zgjedhur i tyre, ka ardhur këtu të bëjë politikën e tyre. Ata që të shesin siguri maksimale janë mashtruesit më të mëdhenj”, deklaroi Gjiknuri.

Drejtuesi politik i PS u ndal dhe në premtimet e kandidaturës së opozitës, të cilat i cilësoi butaforike dhe mashtrimet e radhës. Ai tha se premtimet e bëra nga Boçi janë fyerje për inteligjencën e shqiptarëve dhe se mashtrime të tilla vinin nga dëshpërimi që ka kapluar dyshen Meta-Berisha.

“Për version butaforik me thënë të drejtën Luçiano Boçi na ka dhënë aq shumë argumente këto ditë sa është bërë për të qeshur. Unë nuk e kisha dëgjuar që ne Elbasan do u bëka një Disneyland. Dy ka në botë, i treti do u bëka në Elbasan. Një është në Florida, një në Paris, do e sjellë Luçiano Boçi në Elbasan! Shkoi nxori një italian që flet anglisht, a thua se shqiptarët janë akoma në vitin 1991 që po erdhi ndonjëri që flet gjuhë të huaj i zgjidh problemet. E kuptoni si do të ofendojë inteligjencën e gjithë këtij populli?! Kush i beson gjithë këto gjëra? Do bëj studio kinematografie thotë. Si do e financosh ti? Çfarë lidhje ka kjo punë? Çfarë është ajo që u intereson qytetarëve? Të gjitha këto vijnë nga dëshpërimi. Faza e parë e dëshpërimit është rritja e dozës së mashtrimeve. Faza e dytë është tërbimi, akuzat. Pas një jave do thonë e vodhën”, deklaroi ai.

Gjiknuri nënvizoi se qeveria socialiste po ndërmerr një sërë reformash që synojnë të rrisin nivelin e pagave si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat. Gjiknuri deklaroi se çdo gabim politik në zgjedhjet e 14 majit do të ishte fatkeqësi.

“Martesën e re Meta – Berisha, e fshehin, se pranojnë ta kenë me emër Ilir Metën se u vjen turp. Kur e ke bërë martesën pse e fsheh? Vërtet ne po i rrisim pagat e administratës shtetërore dhe kjo është gjë e mirë. Të rinjtë dhe të rejat tanë do të punësohen në administratë shtetërore, do të kenë një të ardhme. Mjekë, infermierë, mësues, profesione të ndryshme për të cilët vendi ka nevojë. Kjo do të rrisë edhe pagat në sektorin privat se do fillojë njëlloj konkurrence. Nga ana tjetër kjo do të fillojë dhe me kërkesë llogarie për administratën shtetërore. Të gjithë këto politika të nisura, që janë në dobi të qytetarëve ne duhet t’i garantojmë me votë. Kjo votë është edhe një garanci për të ecur përpara. Ato fantazitë që thotë Luçi me Disneyland, ato nuk i bëjmë ne. Ama do ketë rroga më të larta, pensione më të larta, shkolla më të mira”, theksoi Gjiknuri.

Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja u angazhua ta kthejë “Haxhiasin” në një lagje model. Elbasani tha Llatja është kthyer në kantier ndërtimi dhe ka të gjithë vëmendjen që meriton.

“Ne kemi katër vite, pavarësisht se kishim tërmetin, pavarësisht se kishim pandeminë kemi dëgjuar njerëzit dhe kemi bërë punë. Do kthejmë lagjen ” Haxhias” në model. Të gjithë, e kemi filluar edhe “Partizanin”, edhe “Vullnetarin”, ose banesat siç i quajmë ne, do t’i kthejmë realisht në një lagje model. Do të zgjidhim problemet e infrastrukturës, do të zgjidhim problemet komunitare, pallatet që janë të pasuvatuara do t’i bëjmë me modelin e ri që kemi futur në qytet për termoizolimin, për pallatet me kapot. Do të vendosim dhe do të rehabilitojmë të gjithë sipërfaqet e gjelbra që kemi në lagje, dhe kemi fatmirësisht shumë këtu. Bëmë ambulancën e lagjes, po bëjmë një nga rrugët që normalisht kishte prioritet ” Theofan Popa”. Ne sot Elbasanin e kemi kthyer në kantier në të gjitha lagjet”, deklaroi Llatja.

Kryetari i Bashkisë Llatja tha më tej se është e patolerueshme dhe e pafalshme që opozita shan Elbasanin dhe qytetarët e tij. Ai nënvizoi se ata që sot pretendojnë të drejtojnë Elbasanin, nuk e duan atë.

“Do t’ju them vetëm një gjë, para tre ditësh, po dëgjoja një emision ku ishte edhe Evisi, po dëgjoja një turp të madh ku njëri që e quan veten drejtuesi politik i PD për Elbasanin, që e shante Elbasanin në mënyrë të pafytyrë të mundshme. Unë nuk e di se si mundet që një person i tillë që nuk është fare nga Elbasani t’i thotë Elbasanit provincë, t’i thotë Elbasanit është qytet krimi, qytet i keq, qytet pakulturë, qytet pa art, pa teatër, një tufë me të zeza për Elbasanin. Kanë tetë vjet që e kanë bërë Elbasanin qepaze, pa të drejtë, vetëm e vetëm se nuk e fitojnë dot, vetëm e vetëm sepse nuk e kanë të vetin, dhe vetëm e vetëm se duan ta bunkerizojnë Elbasanin”, deklaroi Llatja.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi u foli qytetarëve të lagjes “Haxhias për dallimin që sot kanë dy alternativat që i ofrohen Elbasanit. Alternativa që sipas saj janë lehtësisht të dallueshme.

“Kjo është një zonë që e ka mbështetur gjithmonë PS. Sot ne vijmë ballëlartë, sepse kemi një kandidat kryetarin aktual të bashkisë i cili ka një diferencë shumë të madhe me kandidatin përballë. Unë besoj se zgjedhja e qytetarëve të Elbasanit është shumë e lehtë, sepse nga njëra anë është Partia Socialiste që i ka provuar që i kapërcen edhe sfidat më të vështira. Përballë kë kemi? Kemi një parti e cila është e ndarë në dysh, duke luftuar njëri – tjetrin. Ndërkohë që ne jemi këtu forca më e madhe që ka në qendër gjithmonë qytetarin, dhe me një kandidat që ka treguar këto katër vite që përfaqëson të rinjtë e qytetit, është një njeri që qëndron ndër qytetarët , që është më pranë qytetarëve, që komunikon përditë me ta për të zgjidhur të gjitha problemet dhe shqetësimet që kanë, i pakorruptuar, dhe që e ka treguar përkushtimin dhe vizionin për Elbasanin këto katër vite”, deklaroi Kushi.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit