Home Aktualitet Hapet strehëz...

Hapet strehëza e re veterinare për kafshët e rrugës, Veliaj: Qendra ofron kujdes mjekësor dhe vaksinim

219
0

Bashkia e Tiranës ka hapur në Tufinë “Strehëzën Veterinare”, qendrën e kafshëve të rrugës që i jep zgjidhje përfundimtare problematikës së qenve endacakë në kryeqytet.

“Strehëza” do të funksionojë me konceptin e “shtëpisë së përhershme” për qentë endacakë, por edhe si qendër veterinare, ku do të kryhen proceset e sterilizimit, vaksinimit dhe matrikullimit, e më pas edhe adoptimi i tyre nga kafshëdashësit.

“Vitet e fundit kemi trajtuar 6 mijë qen në situatë rruge, të cilët janë vaksinuar dhe kanë marrë shërbimin mjekësor, e më pas janë adoptuar. Sigurisht, tani që kemi një hapësirë më dinjitoze, ky proces ndodh me kushte shumë herë më të mira, por krijon edhe një mundësi për të ftuar njerëz për t’i parë, për t’i inkurajuar që të lidhen me botën e kafshëve, sidomos fëmijët. Mund t’ju shërbejë edhe studentëve të ardhshëm të veterinaries apo atyre që duan të krijojnë një sipërmarrje të vogël si kujdestarë të katërputroshëve”, tha Veliaj.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, do të trajnojë edhe studentë të kësaj shkolle si “kujdestarë” për qenushët.

“Ne mund të përgatisim një kurs, fillimisht me pak student, e më vonë duke e zgjeruar dhe përmirësuar më shumë. Bashkëpunimi do ishte shumë i rëndësishëm për ne si fakultet, sepse është bashkia, së bashku me AKU-në dhe Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, që përbëjnë atë që quhet rrjeti formues i edukimit veterinar në Shqipëri”, u shpreh Rezart Postoli, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, i cili kishte dhe një thirrje për të rinjtë:

“I ftoj ta përzgjedhin lëndën e Mjekësisë Veterinare, pasi është një program që ofron shumë mundesi falë këtyre investimeve kaq serioze, kaq të rëndësishme, që realizon bashkia, por edhe institucionet e tjera që përgjigjen pikërisht për mirëqenien, shëndetin e kafshëve dhe sigurinë ushqimore”.

Kjo qendër është finalizimi i projektit të nisur vite më parë me procesin e sterilizimit, vaksinimit dhe matrikullimit të qenve endacakë në qytetin e Tiranës. “Strehëza sot ofron jo vetëm shërbim mjekësor për kafshët që kanë nevojë, por gjithashtu edhe kushtet normale të jetesës. Gjej rastin të bëj thirrje për të vazhduar me ritme më të larta projektin tonë të nisur më herët për adoptimin e kafshëve, që kushdo që do ta ketë atë kafshën më besnike të njeriut, të vijnë ta adoptojnë në strehëzën tonë”, tha Laura Deliu, Drejtore e Përgjithshme e AMK-së.

“Ky projekt do ta bëjë Tiranën më të mirë. Ka shume njerëz që më kanë kërkuar të adoptojnë një kafshë dhe tani e dinë adresën, e dinë se çfarë pune e mrekullueshëm bëhet këtu, por sot kemi edhe një vend që i përgjigjet profesionalizmit të stafit tonë dhe të bashkëpunëtorëve tanë, edhe me kushtet fizike. Mezi pres që të fillojmë një fushatë adoptimesh, për të gjithë ata që kur afrojnë festat edhe duan që t’u blejnë një kafshë fëmijëve, një katërputrosh të vogël, i bëj thirrje, nëse nuk jeni përgatitur që ta mbani, ju lutem mos shpenzoni paratë tuaja, por as mos shkaktoni një fatkeqësi, duke lënë në rrugë një kafshë të pambrojtur,” tha Veliaj.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit