Home Ekonomi “Inflacioni p...

“Inflacioni pritet të reduktohet gjatë vitit 2023”thotë Guvernatori Sejko

28
0

Për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, edhe pse viti 2022 ishte një vit sfidues, rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv dhe do të vijojë të ushqehet nga bilancet e shëndosha të bizneseve dhe familjeve, nga zgjerimi i mëtejshëm i eksporteve shqiptare, si dhe nga ulja e pasigurisë në përgjigje të reduktimit të pritur të inflacionit. Një garanci më shumë në zgjerimin e aktivitetit ekonomik, shtoi Sejko, përbën edhe gjendja e shëndetshme e sektorit bankar.

“E nxitur kryesisht nga shpërthimi i konfliktit RusiUkrainë, rritja e çmimeve ka gjeneruar presione të forta inflacioniste në mbarë botën, duke vënë në vështirësi konsumin dhe rritjen ekonomike në rang global. Me këto sfida përballet edhe Shqipëria. Në nëntor, inflacioni shënoi 7.9% – pak më i ulët se muaji paraardhës, por gjithsesi një vlerë e lartë që përbën kërcënimin kryesor ndaj stabilitetit makroekonomik, si dhe ndaj rritjes së qëndrueshme e afatgjatë të Shqipërisë. Dua të nënvizoj se sipas parashikimeve më të fundit të Bankës së Shqipërisë, inflacioni pritet të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në mesin e vitit 2024.

Ambienti me presione të shtuara inflacioniste na detyroi të ndërmarrim një proces gradual normalizimi të politikës monetare, duke synuar kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një periudhe kohore të arsyeshme dhe me kosto sa më të ulëta për aktivitetin ekonomik. Një garanci më shumë në zgjerimin e aktivitetit ekonomik përbën edhe gjendja e shëndetshme e sektorit bankar.
Bilancet financiare të shëndosha dhe likuide të këtij sektori japin garanci se ai do të vijojë të mbështesë me fonde, bizneset dhe familjet shqiptare, duke ndihmuar si zgjerimin e konsumit dhe të investimeve ashtu edhe mbulimin e nevojave të përkohshme për likuiditet”, tha Sejko gjatë takimit të zhvilluar dje me publicistë, analistë, gazetarë të njohur dhe përfaqësues të shtypit të shkruar e medias elektronike në Shqipëri.

Guvernatori Sejko siguroi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një institucion transparent, i gatshëm të japë opinionet dhe vlerësimet e rastit në të gjitha debatet publike, që lidhen me ecurinë e ekonomisë së vendit dhe tregjet financiare, edhe në vitin në vijim.

“Dinamika e zhvillimeve aktuale në ekonominë globale na detyron që Banka e Shqipërisë nga njëra anë dhe media nga ana tjetër, të jenë më të përgjegjshme dhe më të përkushtuara në informimin e publikut në kohë, me vërtetësi dhe në gjuhën e duhur”, tha Guvernatori. Në vijim të këtij aktiviteti, siç është traditë, u ndanë edhe tri çmimet e konkursit të hapur “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2022”. Ky konkurs organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë dhe u dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me integrimin dhe zhvillimin ekonomik, ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, edukimin financiar etj

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Ekonomia

Më shumë nga Ekonomia

Lajmet e Fundit

Te Fundit