Home KRYESORE Këshilli i Eu...

Këshilli i Europës i shtohet zërave kritikë ndaj marrëveshjes për refugjatët afrikanë mes Tiranës dhe Romës

17
0

Këshilli i Europës i shtohet zërave që ngrenë pikëpyetje dhe dyshime mbi marrëveshjen e firmosur mes Tiranës dhe Romës për ndërtimin në territorin shqiptar të dy qendra pritjeje për migrantët që nisen nga Afrika e Jugut drejt Italisë. “Memorandumi për zbarkimin dhe përpunimin e kërkesave për azil, i arritur javën e kaluar, ngre disa shqetësime për të drejtat e njeriut dhe i shtohet një prirjeje problematike evropiane drejt shmangies nga përgjegjësitë për azil,” deklaroi sot Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, e Këshillit të Europës, Dunja Mijatoviç.

Sipas Komisioneres Mijatoviç një sërë pyetjesh lidhen me ndikimin që vënia në jetë e një marrëveshjeje të tillë, do të kishte mbi të drejtat e njeriut të refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve. “Këto kanë të bëjnë, ndër të tjera, me zbarkimin në kohë, ndikimin në operacionet e kërkim-shpëtimit, drejtësinë e procedurave të azilit, identifikimin e personave të cenueshëm, mundësinë e ndalimit automatik pa një rishikim të përshtatshëm gjyqësor, kushtet e ndalimit, qasjen ndaj ndihmës juridike dhe mjetet efektive juridike”, nënvizon zonja Mijatoviç në deklaratën e saj.

Komisionerja e Këshillit të Europës shprehet se “memorandumi krijon një regjim ad hoc ekstra-territorial të azilit i karakterizuar nga shumë paqartësi ligjore. Në praktikë, mungesa e sigurisë ligjore ka të ngjarë të dëmtojë garancitë thelbësore të të drejtave të njeriut dhe llogaridhënien për shkeljet, duke rezultuar në trajtim të ndryshëm midis atyre, kërkesat e të cilëve për azil do të shqyrtohen në Shqipëri dhe atyre për të cilët kjo do të ndodhë në Itali”.

Të dy qendrat do të ngrihen në zonën e Lezhës. Në Portin e Shëngjinit, qendra do të shërbejë si pikë e parë kontakti për grumbullimin e të dhënave. Më pas migrantët do të transferohen në qendrën e pritjes në Gjadër, ku sipas marrëveshjes, procedurat ndaj kërkesave për azil do të duhet të përmbyllen brenda 28 ditëve. Kapaciteti i qendrave nuk do të mund të kalojë atë të 3 mijë personave, dhe brenda tyre do të zbatohet jurisdiksioni italian.

“Memorandumi është tregues i një përpjekjeje më të gjerë nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës për të ndjekur modele të ndryshme të zhvendosjes së përgjegjësve të azilit, jashtë vendeve të tyre, si një “zgjidhje e shpejtë” e mundshme për sfidat komplekse që vijnë nga ardhja e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve. Megjithatë – shton zonja Mijatoviç – masat e jashtme rrisin ndjeshëm rrezikun e ekspozimit të refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut. Zhvendosja e përgjegjësisë përtej kufijve nga disa shtete gjithashtu nxisë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, gjë që rrezikon të krijojë një efekt domino i cili mund të dëmtojë sistemin evropian dhe global të mbrojtjes ndërkombëtare”.

Sipas Komisioneres për të Drejtat e Njeriut “garancia që azili mund të kërkohet dhe vlerësohet në territoret e vetë shteteve anëtare mbetet një gur themeli i një sistemi që funksionon mirë, në përputhje me të drejtat e njeriut, që ofron mbrojtje për ata që kanë nevojë për të” dhe sipas saj “është e rëndësishme që shtetet anëtare të vazhdojnë të përqendrojnë energjinë e tyre në përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të sistemeve të tyre vendase të azilit dhe pritjes, dhe që ata të mos lejojnë që diskutimi i vazhdueshëm rreth zhvendosjes së përgjegjësive jashtë vendeve të tyre, të largojë burimet dhe vëmendjen shumë të nevojshme nga kjo”. Zonja Mijatoviç thekson se “është thelbësore që shtetet anëtare të sigurojnë që përpjekjet e bashkëpunimit ndërkombëtar t’i japin përparësi krijimit të rrugëve të sigurta dhe ligjore që lejojnë individët të kërkojnë mbrojtje në Evropë pa iu drejtuar rrugëve të rrezikshme dhe të parregullta të migrimit”.

Marrëveshja e firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në Romë, ka ngjallur debate të shumta. Si në Itali ashtu dhe në Shqipëri opozita e ka kritikuar ashpër, ndonëse si zoti Rama ashtu dhe zonja Meloni e kanë mbrojtur atë duke u shprehur se marreveshja është në përputhje me konventat ndërkombëtare. Polemikat megjithatë duket se do të vijojnë gjatë, duke qenë se dokumenti do të duhet të ratifikohet dhe nga parlamentet e të dy vendeve./VOA/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit