Home Aktualitet Kompleks i ri...

Kompleks i ri edukimi në Cërrik, Manastirliu: Standarde të njëjta në arsimim për çdo fëmijë

15
0

Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me bashkinë e Cërrikut kanë investuar për ngritjen e një kompleksi të ri edukimi në Selvijas të Cërrikut, që do t’i shërbejë të gjitha niveleve të edukimit, që nga fëmijët e kopshteve, tek shkollimi. Gjatë inspektimit në shkollën “Rushen Qevani”, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka vënë në dukje progresin e bërë në rikonstruksionin e këtij institucioni arsimor dhe theksoi rëndësinë e këtij projekti për komunitetin lokal dhe zonat përreth.

“Është një kënaqësi të shoh investimin që kemi nisur së bashku, për të ndërtuar një kampus të vogël të edukimit. Ky kampus, jo vetëm që do të ofrojë shërbime arsimore për nivelet ndryshme, por gjithashtu do të sigurojë ambiente sportive, të cilat nuk ekzistonin më parë. Përmes kësaj shkolle, synojmë të ofrojmë kushte të barabarta në arsimim për çdo fëmijë dhe të krijojmë një ambient cilësor për mësimdhënie,” tha Manastirliu.

Kjo shkollë do të shërbejë jo vetëm si një qendër arsimore, por edhe si një qendër komunitare, që mundëson përdorimin e infrastrukturës së re sportive për aktivitete të ndryshme. Manastirliu shtoi se, përmes investimeve të tilla, Ministria e Arsimit dhe Sportit synon të sigurojë një standard të njëjtë cilësor në të gjithë vendin, pavarësisht nga vendndodhja gjeografike e shkollave.

“Kjo shkollë, që është në një njësi administrative të largët nga qendra e Cërrikut, sjell për komunitetin e banorëve dhe zonave përreth, një investim me standarde dhe kushte bashkëkohore dhe sigurisht krijon mundësi për një zhvillim të mëtejshëm edhe të komunitetit të mësuesve por edhe për një mbështetje edhe më të madhe të nxënësve, fëmijëve edhe të rinjve, sepse kjo shkollë do të hapë dyert edhe si qendër komunitare,” tha Manastirliu.

Projekti i shkollës që përfundon brenda këtij viti, përfshin ndërtimin e një godine dykatëshe, krijimin e mjediseve sportive duke përfshirë një palestër dhe fushë sportive, si dhe një bibliotekë të pasur. Këtë vit, përmes programit të rehabilitimit të shkollave dhe terreneve sportive të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pushtetit vendor dhe së bashku me Programin e Rindërtimit, përfundon ndërtimi dhe rehabilitimi i 100 objekteve arsimore në të gjithë vendin.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit