Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga: Gishti tek dhunuesit jo viktimat e dhunës seksuale
Ende stigmë dhe tabu! Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila angazhohet për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, flet për DW për nevojën e sensibilizimit të shoqërisë për këtë çështje.
DW: Presidente Jahjaga, tashmë ka disa vite që është përmendur një numër prej rreth 20 mijë grash të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, në sensibilizimin e kësaj çështje keni qenë e përfshirë drejtpërdrejt kur ishit presidente e vendit. Si janë siguruar këto evidenca dhe çfarë është vërtetësia e tyre?
Jahjaga: Kur flasim për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka qenë dhe vazhdon të jetë një plagë e hapur dhe një temë tabu për shtetin dhe qytetarët tanë. Në këto 25 vite të pasluftës unë kam punuar aktivisht, sidomos gjatë mandatit tim si presidente e Kosovës dhe pas përfundimit të mandatit tash si ish-presidente dhe tash me Fondin Jahjaga. Statistikat që ne i referohemi janë statistika të një forme që janë përdorur jo vetëm tek rasti i Kosovës, por, kjo ka ndodhur edhe me Bosnjen, Ruandën dhe Mianmarin. Pra është një formulë e veçantë e përcaktimit të numrit. Kemi raste të raportuara përmes organizatave ndërkombëtare. Kemi një përqindje shumë të madhe, numri është rreth 20 mijë, gra dhe jo vetëm, por ka edhe rreth 1000 burra të dhunuar.
Ka raste kur vetë viktimat kanë raportuar kur kanë shkuar në kampet e refugjatëve në vendet fqinjë tek organizatat pritëse të refugjatëve. Kemi statistika të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe shumë organizatave tjera. Pastaj numri i aborteve që kanë ndodhur në kampet e refugjatëve, edhe raporte pas çlirimit të Kosovës. Pra janë forma dhe mënyra të ndryshme të përcaktimit të përafërt të numrit rreth 20 mijë dhe deri tash nuk kemi një raport të plotë nga një organizatë rreth numrit të saktë. Vetëm tek unë gjatë angazhimit tim për këtë çështje, numri shkon mbi tetë mijë gra dhe burra të dhunuar gjatë luftës që kam takuar. Problemi më i madh është se një numër shumë i madh i grave dhe burrave akoma nuk e kanë marrë hapin që të flasin hapur me familjet apo dikë tjetër.
DW: Sipas mendimit Tuaj, çfarë po bënë Kosova përkatësisht institucionet e saja për këtë çështje? Ka një ligj për njohjen e statusit të viktimave të dhunimit, por numri i aplikimeve për këtë status thuhet se është tejet i vogël?
Jahjaga: Është shumë e vërtetë kjo që thuani. Hapat institucionalë janë marrë qysh kur isha presidente e Kosovës, sidomos në vitin 2014 kur është themeluar Këshilli Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe me dekret presidencial është themeluar një këshill i nivelit të tillë, ku ka sjellë në një tavolinë të vendimmarrjes qeverinë, parlamentin, organizatat joqeveritare, mediet, organizatat ndërkombëtare korin diplomatik dhe shumë e shumë partnerë të tjerë. Megjithatë, përderisa qytetarët e Kosovës e gëzonin lirinë, tek viktimat e dhunës seksuale në mendjet e tyre akoma ishte luftë dhe ende është e freskët në mendjet e tyre. Ka qenë temë tabu, por tash ajo tabu është thyer, stigma është thyer, por ende kemi punë për të bërë si institucione dhe si shoqëri. Pra, me themelimin e Këshillit Kombëtar është shtruar rruga që të ndërrohet ligji për vlerat e luftës dhe edhe viktimat e dhunimeve të marrin statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, pra si viktima civile të luftës.
Statistikat e sakta nuk i di por, sillen diku rreth 1600 aplikantë për statusin e viktimave civile të luftës për të kërkuar të drejtën e tyre ligjore. Pra, është një diskrepancë e madhe ndërmjet 20 mijë të dhunuarave dhe 1600 aplikacione për statusin e tyre, por kjo nuk është veçori vetëm e Kosovës, kjo ka ndodhur edhe në zonat e tjera. Pra, nga takimet e mia që kam pasur me të mbijetuar të dhunës seksuale, është shumë e vështirë që ta marrin hapin për të rrëfyer dhe të kërkojnë të drejtën e tyre. Nuk është pengesa vetëm tek institucionet sa është pengesa dhe te kultura e mosndëshkimit, sepse, jo vetëm në Kosovë por edhe në nivel global, statistikat tregojnë që është një shkallë shumë e lartë e kulturës së mosndëshkimit kur dhunimi seksual është përdorur si mjet lufte dhe në këtë rast kërkohet angazhim më i madh i bashkësisë ndërkombëtare.
Hendikepi më i madh i Kosovës është që nuk jemi anëtar i Interpolit dhe Europolit dhe kryerësit e këtyre veprave janë në vendin fqinjë Serbinë dhe për më shumë kjo çështje nuk është bërë temë e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të kërkohen që kryerësit e këtyre veprave të kthehen në Kosovë dhe të gjykohen. Pra një anë ka të bëjë me stigmën, një anë me tabunë dhe në një anë me mungesë të përkrahjes familjare dhe shoqërore dhe anën tjetër me mosndëshkueshmërinë. Në çdo takim që kam pasur me të mbijetuar të dhunës seksuale, ata thonin që e vetmja gjë që mund të më sjellë paqe dhe qetësi është kur kryerësit e veprave të jenë prapa grilave.
DW: Dhunimet gjatë luftës dhe kjo temë, si thoni ju, në aspektin social nuk ka gjetur vend sa duhet në Kosovë për tu’ trajtuar në kontekstin e një fatkeqësie, dhe akoma duket si temë tabu në familjet kosovare. Pse vazhdon të ndodhë kjo?
Jahjaga: Janë kombinim i shumë gjërave. Pikësëpari ka të bëjë pak me mentalitetin patriarkal të shoqërisë tonë. Në vitin 2011 kur kam filluar që publikisht të flas për këtë temë që institucionalisht të merrem aktivisht dhe të flas për këtë temë që nuk ka qenë kompetencë kushtetuese e presidentes, por indirekt ka qenë përgjegjësi morale, kam pasur mesazhe nga më të ndryshmet nga një ekstrem në ekstremin tjetër, që Kosova dhe populli i Kosovës nuk është i gatshëm të flasë për këtë temë, pra thuhej se e dimë që ka ndodhur kjo çështje, por ky kapitull është i mbyllur dhe unë përgjigjesha në atë kohë sesi mund të mbyllet një temë që asnjëherë nuk është hapur.
Pra është bërë një padrejtësi e madhe menjëherë pas luftës kur ne i kemi marrë të gjithë ato obligime institucionale dhe shoqërore ndaj të gjitha kategorive të dala nga lufta, ndërsa ne, të mbijetuarit e dhunës seksuale i kemi vendosur në një skaj duke bërë me gisht ndaj tyre, duke mos e ditur asnjëherë që trupi i tyre është shndërruar në formë të fushëbetejës. Përderisa ne hapnim varret e personave të pagjetur dhe vendosnim përmendore për martirët e shumtë, ne asnjëherë nuk e kemi kuptuar se në çfarë dhimbje dhe me çfarë pasojash po përballen të mbijetuarat e dhunës seksuale. Pra, në atë kohë është tentuar të dekurajohemi që shoqëria e Kosovës nuk është e gatshme të diskutojë këtë çështje, por pas aktivizmit të zyrës dhe ekipit tim në atë kohë dhe të një grupi shumë të madh të shoqërisë civile, më kanë shtyrë që t’u përgjigjem elitave politike të atëhershme që populli ka qenë gjithnjë i gatshëm të përballet me këtë temë, por ka munguar një lidership i duhur që të flas hapur me popullin për plagët ende të hapura të shoqërisë tonë.
Kanë qenë shumë ekstreme, njëri që familjarët personalisht i sjellin të mbijetuarat tek organizatat dhe thoni që ju duhet t’i trajtoni anëtarët e familjeve tona. Por kemi edhe ekstremin tjetër të dhimbshëm që gratë dhe vajzat tona janë detyruar që të mbajnë këtë sekret për vete dhe familjen e tyre për hir të mbrojtjes së moralit. Por, nuk ka qenë turpi i tyre, por turpi i atyre që kanë bërë dhunime dhe gishti nuk duhet të drejtohet ndaj të mbijetuarve, por ndaj kryerësve të këtyre veprave që dhunimin e kanë përdorur si mjet lufte ndaj qytetarëve të Kosovës.
DW: Çfarë kanë bërë institucionet e drejtësisë, në ngritjen e akuzave ndaj dhunuesve. Shumë organizata joqeveritare kanë ngritur zërin vazhdimisht se vendi nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Ju keni qenë presidente për një mandat. Sa janë të qëndrushme këto shqetësime?
Jahjaga: Deri më tash nëse nuk gaboj kemi vetëm nëntë ose dhjetë raste, aktakuza të hartuara nga ana e prokurorisë dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë, ndërsa, vetëm një rast e kemi ku ka përfunduar me vendim të formës së prerë dhe shkalla e dënimit lë shumë pikëpyetje. E dhimbshme është që me mijëra raste janë ndërtuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i dhe ato raste janë transferuar në duar të institucioneve vendore dhe asnjëherë nuk janë nda si raste të veçanta, por vetëm si shumica e rasteve që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Pra mosndëshkueshmëria ka ndikuar që të mbijetuarat e dhunës seksuale ta humbin besimin në institucionet e drejtësisë.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, që nga koha e mandatit të saj si presidente e Kosovës edhe më pas me fondacionin “Jahjaga Foundations” angazhohet për sensibilizimin e shoqërisë ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.