PDK bllokon konsensusin për Presidentin, Hamza: Nuk e votojmë Sejdiun
Kandidatura e Bekim Sejdiut për president të Kosovës është përballur menjëherë me kundërshtimin e Partisë Demokratike të Kosovës. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të qartë se partia që ai drejton nuk do ta mbështesë Sejdiun, duke theksuar se qëndrimi i PDK-së nuk ka ndryshuar dhe se ajo nuk është pjesë e marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Qëndrimi i PDK-së është i qartë, nuk jemi pjesë e marrëveshjes dhe nuk e votojmë zotërinë Sejdiu për president”, deklaroi Hamza. Ai tha gjithashtu se deri tani nuk ka pasur asnjë kontakt apo diskutim me kandidatin e propozuar nga LVV-ja dhe LDK-ja. Sipas Hamzës, presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë që bashkon palët politike dhe shoqërinë.
“Fillimet nuk janë të mira”, u shpreh kreu i PDK-së, duke lënë të kuptohet se kandidatura e Sejdiut nuk e ka mbështetjen e partisë së tij. Sejdiu u propozua si kandidat i përbashkët i LVV-së dhe LDK-së pas marrëveshjes së arritur më 31 gusht. Marrëveshja synon zhbllokimin e situatës politike dhe krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Përpara kandidaturës së Sejdiut tashmë janë shfaqur pengesa të rëndësishme. Përveç PDK-së, kundër tij është deklaruar edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, një prej figurave të LDK-së. Në këto rrethana, sigurimi i votave të nevojshme për zgjedhjen e Sejdiut në postin e presidentit pritet të jetë një sfidë e vështirë për LVV-në dhe LDK-në.
KOHA JONË SONDAZH

