Distria Krasniqi nga Kosova fiton medalje të artë në Lojërat Olimpike

Distria Krasniqi fiton për Kosovën medalje të artë në Lojërat Olimpike Verore që po zhvillohen në Tokio. Kosova merr pjesë me 11 sportistë që garojnë në xhudo, mundje, not dhe atletikë.   

Xhudistja e re nga Kosova Distria Krasniqi, fitoi medaljen e artë në xhudo duke mundur në finale japonezen Funa Tonaki. Distria Krasniqi u shpall fituese në kategorinë deri në 48 kilogramë.

“Ndihem shumë e lehtësuar, pasi një ëndërr që kam pasur që në fëmijëri, e realizova”, tha Distria para mediave pas fitores.

Distria Krasniqi gewinnt Gold im Judo

Në Tokio të Japonisë bashkë me ekipin olimpik të 11 sportistëve të Kosovës është edhe presidentja, Vjosa Osmani, e cila duke përgëzuar Distria Krasniqin shkroi në facebook: “Ajo ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës”.

Kjo është medalja e dytë e artë olimpike për Kosovën pas fitores së Majlinda Kelmendit po në kategorinë e xhudos në Lojërat Olimpike të vitit 2016, që u zhvilluan në Rio.

Në Lojërat Olimpike Verore që po mbahen në Tokio Kosova merr pjesë me 11 sportistë dhe garon në xhudo, mundje, not, boks dhe atletikë. Kosova u anëtarësua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor të vitit 2014 pas shumë kundërshtimesh dhe pengesash nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

SHKARKO APP