Erion Braçe lavdëron të gjithë, por jo Ramën dhe Arben Ahmetajn
Nga Erion Braçe-
“Të premten që shkoi puna ime në qeveri u mbyll; marrëdhënia e krijuar nga dëshira për ti shërbyer njerëzve në atë nivel mbaroi; Mbase edhe më herët, qyshkur u kufizua në limitet e rutinës që herë më ngjante me dezhurnin në gjimnaz dhe herën tjetër me detyrimin për të respektuar një kod etike me marrëdhenie brenda. Një përvojë e çuditshme pushteti, përvojë karrigeje, e komplikuar, që as e doja e as e kërkova-ma kërkuan, as e pranova si të tillë e as më pranoi.
Por e vlefshme gjithësesi; Nga jashtë nuk do ta kisha njohur kurrë deri në detaje. Madje edhe veten, vënë në provë kush e di sa herë nga dallimi mes asaj që vjen si dëshirë, strukturohet si mendim, arrin në veprim dhe tamam këtu bëhet i pamundur, madje edhe tjetërsohet, shoqëruar nga pamundësia për të folur, shpjeguar e mbrojtur publikisht-Kodi Etik. Një gjë ja them kujtdo ama: Pata lirinë të kondërshtoj, të them JO; Kam votuar pro me bindje, kam firmosur po aq i bindur çdo vendim në favor të së mirës publike, ashtu siç kam firmosur formalisht, sipas ligjit për shkak të kryesimit të mbledhjes, shoqëruar me mendimin tim kundërshtues në përputhje me parimet e bindjet e mia;
NUK HYRA SI HAJDUT, NUK DOLA SI HAJDUT!
Në 2 vite e gjysëm kuptova që e gjitha është çështje vullneti, të vjedhësh ose jo, të lejosh të vjedhin ose jo; patjetër çështje drejtësie. Sot është një ditë tjetër, e re aq sa më lejon përvoja e gjatë në Kuvend të jetë e tillë, por jam në habitatin tim ama.
Sot është gjithashtu tamam dita që të falënderoj 5 gra e vajza-zyra ime kaq ishte, Ejanën, Eldën, Ilvën, Entelën, Klaudian; Kanë përballuar gjithçka, nga përgatitjet për mbledhjet e qeverisë tek çdo proces ligjor e jo vetëm në administatën publike, shërbimet, integrimin, parandalimin e pastrimit të parasë së zezë, zhvillimin territorial dhe kohezionin, objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, përdorimin e parasë publike dhe rregullat e reja të prokurimit publik…
Ju jam shumë mirënjohës për gjithë shërbimin tuaj politik, civil, profesional, konkret, të drejtë e të ndershëm! Ndërkohë, dua të falënderoj drejtuesit e agjencive të përfshira në këto procese, Tanin për FZHSH, Albanën per DAP, Lorinin për ADISA, Reidën për APP, Elvisin për Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave të Pista;
Shumë falëminderit për punën, bashkëpunimin gjithashtu. Një falënderim të posaçëm kam për dy njerëz me të cilet ndava ditët, por edhe punët, mendimet dhe kundërshtimet, Valin dhe Engjëllin!
Kolegët e mi ministra për gjithë çfarë ndamë e bëmë bashkërisht! Ambasadoren Yuri Kim për nxitjen, mbështetjen, vlerësimin; amabasadorin Luigi Soreca për bashkepunimin, koordinatorin e përhershëm të OKB-së, drejtuesen e UNDP, ambasadorët e OSCE-së, ambasadorët e Italisë, Gjermanisë, Austrisë, ambasadorin e Zvicrës; Ju jam shumë mirënjohës për punen tuaj! Erionin, Martinin e Arjanin që ishin çdo ditë me mua!
E di, ka plot njerëz që prisnin shumë më tepër nga unë në këtë detyrë; Një pjesë të drejta, një pjesë edhe për shkak të mendimit se një titull i tillë është pushtet, fuqi pa kufi, madje duke cënuar kufijtë e ligjit apo dikujt-institucion, tjetër. E munda mundimin rë ishte kështu e të isha i tillë.
Edhe pse shpesh doja ta bëja krejt ndryshe, në mënyrën time!
I kërkoj ndjesë kujtdo që u zhgënjye prej pritshmërive, por këto ishin mundësitë. Ne duam gjithçka, edhe une, por ligji dhe interesat e gjëra e të përhapura, vendosin kufij të drejtë në një anë dhe të padrejtë në anën përballë!
Kështu, betejë është, vazhdon; Një ditë tjetër, në një vend tjetër.