Kryebashkiakë interesaxhinjë me teserën e PS!
Reforma administrativo-territoriale që po përgatitet nga mazhoranca ka nxjerrë në pah një realitet që nuk mund të fshihet më. Nuk janë opozitarët ata që po e kundërshtojnë më fort, por pikërisht disa drejtues të bashkive socialiste dhe drejtues lokalë të Partisë Socialiste, të cilët shohin se me rishikimin e hartës administrative rrezikojnë postet dhe ndikimin e tyre politik.
Madje, në disa raste janë parë skena absurde, ku drejtues lokalë kanë grisur teserat e Partisë Socialiste, sikur problemi i madh i Shqipërisë të ishte fati i një karrigeje dhe jo organizimi më i mirë i pushtetit vendor.
Ky reagim tregon se për një pjesë të klasës politike pushteti nuk është mjet për t’i shërbyer qytetarëve, por pronë personale. Për vite me radhë kanë folur për interesin publik, për modernizimin e shtetit dhe për reforma, por sapo reforma prek pozicionin e tyre, ndryshon menjëherë edhe qëndrimi. Atëherë nuk flitet më për qytetarët, por për bashkinë që “nuk duhet të shkrihet”, për zyrat që nuk duhet të mbyllen dhe për privilegjet që nuk duhet të humbasin.
Nëse reforma administrativo-territoriale është e gabuar, atëherë ajo duhet kundërshtuar me argumente, me studime dhe me fakte. Por nëse kundërshtimi buron vetëm nga frika e humbjes së postit, atëherë kemi të bëjmë me një mbrojtje të interesit personal dhe jo të interesit të komunitetit.
Ironia është se shumë prej këtyre drejtuesve kanë qenë ndër mbrojtësit më të zëshëm të reformës territoriale të vitit 2014, duke e quajtur atë një sukses historik. Sot, kur radha e ndryshimeve prek bashkitë që ata drejtojnë, reforma nuk u duket më e mirë. Kjo tregon se problemi nuk është reforma, por karrigia.
Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama duhet ta shohin këtë reagim si një kambanë alarmi. Nëse një reformë shtetërore pengohet nga interesa lokale dhe personale, atëherë vetë fryma e reformimit bie në krizë. Shteti nuk mund të mbahet peng nga ata që e konsiderojnë funksionin publik si pronë private.
Shqipëria ka nevojë për një hartë administrative që t’u shërbejë qytetarëve dhe zhvillimit të vendit, jo për një hartë të ndërtuar sipas interesave të kryetarëve të bashkive. Kush e vendos interesin personal mbi interesin e shtetit, nuk po mbron qytetarët; po mbron vetëm karrigen e vet.
Por në këtë rast kryeministri duhet të kuptojë se nuk duhen zgjedhur njerëz servilë apo pa dinjitet, sepse ata kur vjen puna që iu preket interesi personal, të braktisin.
Pamjet duke grisur teserën e PS janë absurde, fyese. Pse ata drejtues bashkish apo të PS-ve lokale nuk dolën ti grisnin kur dolën fakte korrupsioni në qeverinë qendrore? Apo kur iu preket karrika personale bëjnë si të ndershëm?
Mazhoranca ka nevojë për analizë dhe reflektim të thellë të mënyrës së qeverisjes, ndryshe do rrëzohet me turp në zgjedhjet e vitit 2027, pra në zgjedhjet vendore.
Natyrisht edhe nëse bie PS-ja nuk bëhet nami, pasi vetë pushteti vendor ka nevojë për barazpeshim, sepse deri më tani i ka patur të gjitha PS.
KOHA JONË SONDAZH
Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?
Results
Vota totale: 19193

