Shqipëria nuk ka nevojë të jetë vëzhguese në BE, por anëtare me të drejta të plota
Propozimi i kancelarit gjerman Friedrich Merz për t’u dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor një status “vëzhguesi” në institucionet e Bashkimit Evropian ka hapur një debat të rëndësishëm politik: a është kjo një urë drejt anëtarësimit apo një mënyrë e re për ta mbajtur rajonin për vite të tjera në pritje?
Për Shqipërinë, përgjigjja nuk është vetëm teknike apo diplomatike. Është një çështje strategjike dhe historike.
Shqipëria nuk ka nevojë të mësojë si funksionon Bashkimi Evropian. Shqipëria prej më shumë se tri dekadash ka orientuar sistemin politik, ligjor, ekonomik dhe institucional drejt standardeve evropiane. Ka ndryshuar Kushtetutën, ka reformuar drejtësinë, ka përafruar mijëra faqe legjislacion me acquis communautaire dhe ka pranuar mekanizma monitorimi më të fortë se shumë vende anëtare në momentin e pranimit të tyre.
Prandaj pyetja që lind është: sa gjatë mund të qëndrojë një vend në korridorin e hyrjes pa hyrë në sallë?
Në letrën e Merz argumentohet se zgjerimi po zgjat shumë dhe se kjo krijon frustrim si tek vendet kandidate, ashtu edhe brenda vetë BE-së. Kjo është një pranim politik i një realiteti që Ballkani Perëndimor e thotë prej kohësh: procesi nuk po ecën me ritmin që ishte premtuar.
Por zgjidhja nuk mund të jetë krijimi i një kategorie të re të ndërmjetme.
Sepse rreziku i madh është që “integrimi gradual” të mos bëhet ura drejt anëtarësimit, por destinacioni i ri politik i rajonit.
Shqipëria nuk mund të kënaqet me praninë në sallat e Parlamentit Evropian pa të drejtë vote, me pjesëmarrje në mbledhje pa ndikim apo me status simbolik. Historia e Bashkimit Evropian ka treguar se integrimi i suksesshëm ndodh kur ekziston një objektiv i qartë politik dhe afat real. Kur objektivi zbehet dhe zëvendësohet me formula hibride, atëherë procesi humbet energjinë.
Nga këndvështrimi i Brukselit, propozimi i Merz ka logjikën e vet. BE-ja përballet me sfida të mëdha: luftën në Ukrainë, konkurrencën ekonomike globale, migracionin, presionet buxhetore dhe rritjen e euroskepticizmit në disa shtete anëtare. Pranimi i anëtarëve të rinj kërkon konsensus dhe reforma të brendshme.
Por nga këndvështrimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, ekziston një pyetje tjetër: nëse jo tani, atëherë kur?
Sepse çdo vit shtesë në pritje prodhon pasoja reale: rrit zhgënjimin tek qytetarët; ul besimin tek reformat; nxit emigrimin; krijon hapësirë për ndikime të aktorëve të tjerë joevropianë; dobëson argumentin e elitave politike pro integrimit.
Në rastin shqiptar ka edhe një element tjetër. Shqipëria ka qenë ndër vendet më proevropiane në kontinent. Mbështetja publike për BE-në historikisht ka qenë ndër më të lartat në Evropë. Ky kapital politik nuk është i pafund.
Nëse qytetarëve u thuhet për vite me radhë se “jeni afër”, por afërsia nuk shndërrohet kurrë në anëtarësim, atëherë krijohet lodhje strategjike.
Në këtë kuptim, Shqipëria duhet të mbajë një qëndrim të balancuar: të pranojë çdo instrument që përshpejton integrimin praktik – qasje në tregun unik, pjesëmarrje në programe evropiane, përfshirje në politikat sektoriale – por pa pranuar që këto të zëvendësojnë objektivin final. Statusi i vëzhguesit mund të jetë mjet. Nuk duhet të bëhet destinacion.
Mesazhi që Tirana duhet të japë në Bruksel duhet të jetë i qartë: Po integrimit gradual. Po afrimit institucional. Por jo zëvendësimit të anëtarësimit të plotë. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë të jetë dëshmitare e Evropës nga galeria.
Shqipëria kërkon të jetë pjesë e tryezës ku merren vendimet.
Pse na zhgejeni zoti Kancelar? Njerëz janë me sy e veshë, edhe me zemër nga BE, kurse Ju tani na thoni se “do jeni vëzhgues”.
Pse e bëni politikën dhe popullin të shikojë nga Kina?!
Ne e duam Europën si bashkësi, pasi në Europë kemi qenë edhe para disa shtetëve që ju i keni anëtarë. Ne jemi ndër popujt me të vjetër në Europë.
Redaksia KOHA JONE
Merz propozon: Ballkani Perëndimor si vëzhgues në BE, Ukraina si anëtare e asociuar
KOHA JONË SONDAZH

