Dëgjesa në Shkodër, Mazniku: Katër sfidat kyçe të pushtetit vendor, të cilat duhet të adresojë reforma e re
Dëgjesa e radhës për reformën e re territoriale është ndalur këtë të premte në Shkodër, ku bashkëkryetari i komsionit për këtë reformë, Arbjan Mazniku theksoi edhe njëherë për nevojën për ta ngritur në një nivel të ri reformën territoriale pas një dekade nga zbatimi i saj, duke theksuar se zhvillimet demografike, eficienca e bashkive dhe integrimi europian kërkojnë një qasje të re për organizimin vendor. Mazniku u ndal te katër sfidat kryesore me të cilat përballen sot bashkitë, të cilat do të duhet që kjo reformë t’i adresojë.
“Na duhet efiçencë më e lartë e bashkive për mënyrën se si ato të munden të zbatojnë më mirë kompetencat që kanë, sepse sot një pjesë e madhe e bashkive nuk arrijnë t’i ushtrojnë plotësisht kompetencat që ligji u ofron. Së dyti, kemi sfidën demografike, lëvizjen e vazhdueshme të njerëzve nga periferia drejt qendrave. Sot pjesa më e madhe e popullsisë është e përqëndruar në qytetet e mëdha. Ndaj na duhet që të kemi një pushtet vendor që t’i përshtatet kësaj lëvizjeje demografike. Sfida e tretë që kemi është se na duhet të sigurojmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të njëtrajtshëm në të gjitha zonat e vendit dhe të zbehim diferencat, në mënyrë që të kemi njësi vendore me një zhvillim të balancuar dhe më të qëndrueshëm.
Së katërti, në vitin 2027 Shqipëria mbyll negociatat dhe brenda vitit 2030 ne do të bëhemi vend anëtar i BE-së. Kjo do të thotë që nga antarësimi ne do të kemi mundësinë të përthithim, përmes dy mekanizmave të rëndësishëm, kohezionit social dhe fondeve strukturore, financime për zhvillimin e territorit. Për të përfituar nga këto programe, ne na duhet të kemi njësi vendore më të afta, me kapacitete më të mira, që të konkurrojnë në Bruksel dhe të arrijnë të marrin këto fonde që do të ndihmojnë në zhvillimin e territorit të tyre”, theksoi Mazniku.
Më tej ai shtoi se reforma territoriale ka sjellë rritje të të ardhurave dhe investimeve në njësitë vendore, por theksoi se pas 10 vitesh është momenti për të analizuar çfarë funksionon dhe çfarë duhet përmirësuar. “Sot që flasim të ardhurat e bashkive janë rritur, investimet janë shtuar dhe ato investime kanë shkuar edhe tek njësitë që, po të ishin ende komuna, nuk do të arrinin dot t’i përfitonin. Por gjërat nuk janë perfekte. 10 vite janë një kohë e arsyeshme për të analizuar çfarë ka shkuar mirë dhe çfarë mund të rregullohet”, deklaroi ai. Sipas Maznikut, një nga çështjet që duhet trajtuar me kujdes është edhe madhësia e territoreve administrative, duke ruajtur balancën mes funksionalitetit dhe identitetit të komuniteteve lokale.
KOHA JONË SONDAZH



