Deputeti Erion Braçe inspekton kompleksin “Mangalem”, ngre pikëpyetje për planifikimin urban
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka vijuar turin e tij në terren në lagje të ndryshme të Tiranës, duke e shndërruar praninë e tij në një formë monitorimi publik mbi zhvillimet urbane dhe cilësinë e ndërtimit në kryeqytet. Me një qasje të drejtpërdrejtë dhe shpesh kritike, Braçe pozicionohet si një “sy në terren” për problematikat që qytetarët hasin në përditshmëri, veçanërisht ata që kanë investuar në banesa të reja me çmime të larta, por që sipas tij nuk marrin gjithmonë standardet e pritshme të jetesës.
Në një nga ndalesat e tij, në kompleksin e njohur si “Mangalem”, ai ka publikuar një seri videosh në rrjetet sociale, ku komenton nga afër organizimin urban dhe cilësinë e ndërtimit, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si janë konceptuar këto hapësira banimi.
“NE TERRITOR, SI DEPUTET I TIRANES KY KETU – MANGALEM, ESHTE KOMPLEKSI I DYTE I BANIMIT QE REKLAMOHET SI ME I MIRI NE TIRANE!!”, shkruan Braçe, duke shoqëruar deklaratën me një triptik videosh ku ai analizon elementët urbanë të kompleksit dhe i vë në raport me pritshmëritë që krijohen përmes marketingut të pasurive të paluajtshme.
Në vijim të komenteve të tij, ai shpreh skepticizëm edhe për vetë emërtimin e kompleksit: “Nuk di pse e quajnë MANGALEM kjo lagje – mbase ngaqë ka shumë, në fakt vetëm dritare standarde; emërvënësit mbase e lidhin me BERATIN si qytetin e 1000 dritareve, në fakt ky është BERATI JO!”, duke nënvizuar, sipas tij, një kontrast mes simbolikës së përdorur në marketing dhe realitetit të ndërtimit.
Pa cenuar banorët që jetojnë aty, të cilët i përshkruan si qytetarë nga shtresa dhe zona të ndryshme të vendit, Braçe ngre shqetësimin thelbësor mbi mënyrën e planifikimit urban: “Pa fyer kënd që ka blerë banesë këtu – njerëz të mirë, të qetë e paqësorë nga gjithë Shqipëria gjeta – pyetja që kam është: a mund të ndërtohet një lagje kështu?!”
Në analizën e tij, deputeti ndalet te problematika e densitetit të ndërtimit dhe reduktimit të hapësirave publike, duke kritikuar tendencën për maksimizimin e sipërfaqes së ndërtueshme në dëm të funksionalitetit urban. Ai evidenton rrugë të ngushta, trotuare të kufizuara dhe mungesë të dukshme të aksesit për shërbimet emergjente, përfshirë zjarrfikëset. Po ashtu, ai ngre shqetësimin për mungesën e shkallëve të emergjencës në disa struktura dhe për garancitë infrastrukturore si hidrante funksionale.
“Rrugë të ngushta, trotuare po të tilla, në funksion të shitjes së parkimeve; pallate të vendosura afër njëra-tjetrës e të paaksesueshme nga zjarrfikëset – dua shumë që hidrantet të jenë gjithë kohës me ujë; ndërkohë që askund nuk pashë shkallë emergjence…”, thekson ai, duke e lidhur shqetësimin e tij me raste të fundit të emergjencave në ndërtesa të ngjashme.
Në të njëjtën linjë kritike, Braçe vë në dukje edhe raportin mes ndërtimit intensiv dhe hapësirave të gjelbra, të cilat sipas tij mbeten minimale dhe shpesh simbolike: “hapësira të gjelbra më shumë se tek ai kompleksi tjetër që gjelbërim quan qipariset, por kurrë të mjaftueshme në raport me intensitetin e ndërtimit – po ndërtohet përsëri këtu!”
Ai paralajmëron se kjo është vetëm një pjesë e vëzhgimeve të tij në terren, duke lënë të kuptohet se turit të tij urban do t’i shtohen edhe ndalesa të tjera dhe analiza më të detajuara mbi zhvillimin e kryeqytetit: “Do t’ju them edhe më shumë në vijim.”
Ky angazhim publik i Braçes në terren po shihet si një formë e drejtpërdrejtë e komunikimit me qytetarët dhe një përpjekje për të artikuluar shqetësimet e tyre mbi zhvillimin urban të Tiranës, një qytet që, mes ritmit të lartë të ndërtimeve dhe transformimeve të shpejta, mbetet gjithnjë në qendër të debatit për cilësinë e jetesës dhe standardet e planifikimit urban.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

