Erion Braçe në Koha Jonë-Debat: Nuk votoj kandidat të ”njoftuar” për Tiranën. PS të hapë garën, jo të caktojë emrin
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka artikuluar një qëndrim të fortë për mënyrën sesi duhet të përzgjidhet kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës. I ftuar në emisionin ”Koha Jonë-Debat”, përballë Nikoll Lesi, deputeti Braçe deklaroi se nuk pranon që kandidati për Tiranën të përcaktohet përmes një vendimi të marrë nga drejtuesit e partisë dhe më pas t’u komunikohet strukturave.
”Unë nuk pranoj të njoftohem”, u shpreh Braçe, duke e bërë të qartë se për të çështja nuk lidhet me ambicien personale për të marrë drejtimin e bashkisë, por me mënyrën e vendimmarrjes brenda PS-së. Sipas tij, Partia Socialiste duhet të hapë një garë të vërtetë brenda strukturave të saj dhe kandidati duhet të dalë përmes votës. ”Unë po kërkoj që Partia Socialiste të hapë garë brenda Partisë Socialiste edhe për të energjizuar partinë, por edhe për të ndryshuar formën e vendimmarrjes”, deklaroi deputeti socialist.
Braçe theksoi se e drejta për të kandiduar dhe për të zgjedhur nuk duhet të zëvendësohet me një “njoftim” nga kryesia apo drejtuesi i partisë. “Cilido ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet”, tha ai, duke iu referuar parimeve të Kushtetutës dhe statutit të Partisë Socialiste. I pyetur drejtpërdrejt se çfarë do të bënte nëse PS do të vendoste një kandidat pa zhvilluar garë, Braçe dha një përgjigje të prerë. ”Unë nuk mbështes një kandidat të njoftuar sepse është gabim shumë i madh. Jo pse s’jam unë, edhe unë po të jem do ta refuzoj”, deklaroi ai. Braçe e përsëriti qëndrimin e tij duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një reagim personal ndaj një kandidati të mundshëm, por për parimin e garës.
“Po ta them sot dhe mbaje: rrezikon karrierën politike pastaj. O Nikoll, unë nuk pranoj, nuk pranoj të njoftohem. Është gabim shumë i madh”, tha deputeti. Ai e lidhi kërkesën e tij për garë me mënyrën se si duhet konceptuar drejtimi i Bashkisë së Tiranës. ”Bashkia e Tiranës është vend pune”, deklaroi ai. “Të punosh kryetar i bashkisë së Tiranës është vend pune”.
Sipas Braçes, gara nuk duhet të shihet si një betejë për pushtet politik apo si një shkallë drejt drejtimit të PS-së dhe më pas qeverisë. Në pjesën më të drejtpërdrejtë të debatit, Braçe u pyet nëse do të punonte për kandidatin zyrtar të PS-së në rast se emri nuk do të dilte nga një garë. ”Jo, unë nuk e ndjej, nuk e ndjej të shkel parime demokratike për të ndjekur pas një njoftim”. Ai shtoi se një kandidat i caktuar pa garë nuk do të ishte automatikisht kandidati që ai do të mbështeste.
”Po ta them shqip: s’është kandidati im”, tha Braçe. Ai e sheh garën për Bashkinë e Tiranës si një test të rëndësishëm për mënyrën sesi funksionon demokracia e brendshme e Partisë Socialiste. Duke folur për të ardhmen e PS-së, Braçe paralajmëroi se vendimmarrja e centralizuar mund të ketë kosto politike.

KOHA JONË SONDAZH

