Kryeministri Rama na çon këtë të diel për një shëtitje në Parkun e Madh të Liqenit të Tiranës
Përmes një postimi në mediat sociale, Kryeministri Rama na fton të humbasim mes gjelbërimit të Parkut të Liqenit të Tiranës, aty ku rreh zemra e gjelbër e kryeqytetit. Ky masiv pyjor nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, por “mushkëria” jetike që filtron zhurmën e metropolit dhe u dhuron qytetarëve një oaz paqeje.
Në këtë cep të Tiranës, natyra ka ngritur skenën e saj më të bukur. Së andejmi dëgjohet simfonia më magjepsëse e natyrës, aty ku zhurma e sirenave, boritë e makinave dhe motorëve heshtin për t’i lënë vendin këngës së zogjve dhe shushurimës së gjetheve.
Po, aty merr kuptim freskia e jetës dhe harmonia e marrëdhënieve që ne kemi me natyrën. Ajri i pastër që buron nga masivi i drurëve dekorativë dhe pishave shërben si një terapi natyrore për çdo vizitor.
Liqeni Artificial, me qetësinë e tij karakteristike, reflekton qiellin dhe konturet e një Tirane që nuk resht kurrë së lëvizuri.
Nga pikëpamja funksionale, Parku i Madh është shndërruar në një stacion mirëqenieje. Ai nuk është më thjesht një vend kalimi, por një hapësirë ku gjejnë veten të gjitha gjeneratat: vrapuesit dhe sportistët, fëmijët dhe të moshuarit. Shtigjet e dedikuara që rrethojnë liqenin ofrojnë pistën perfekte për ata që e nisin ditën me energji, vrapim, ecje dhe meditim në natyrë.
Këndet e lojërave dhe hapësirat e hapura janë kthyer në vendin e preferuar të fëmijëve, larg ekraneve dhe brenda botës së lojës aktive.
Stolat nën hije dhe shëtitoret e qeta ofrojnë mundësinë për pushim, biseda shoqërore dhe shijimin e pleqërisë në ajër të pastër.
Parku nuk është thjesht një park; është një premtim i mbajtur ndaj natyrës në mes të betonit, një vend ku çdo hap na lidh sërish me jetën e thjeshtë dhe të bukur.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

