Shoqata e Bashkive zhvillon dëgjesë me Kongresin e Këshillit të Evropës, Qosja: Konsultimi nuk pengon reformën, por i jep legjitimitet
Partia Demokratike njoftoi sot se reforma administrativo-territoriale u vu përballë dëgjesës me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Sipas PD-së, përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë paraqitën shqetësimet mbi mënyrën e zhvillimit të procesit dhe kërkuan vlerësimin e tij, sipas standardeve evropiane.
PD bëri të ditur se në dëgjesën me përfaqësueset e larta të Kongresit, Claudia Luciani dhe Carolin Dubois-Leinihan, Shoqata theksoi se nuk kërkon mbështetjen e një harte të caktuar, por që ndryshimi territorial të mbështetet në konsultim të plotë, evidencë të qartë dhe konsensus të gjerë. Presidenti i Shoqatës, Fisnik Qosja, e cilësoi qëndrimin institucional dhe jo politik. “Po mbrojmë interesat e qytetarëve dhe jo të politikës”, deklaroi Qosja, duke shtuar se një proces i plotë konsultimi nuk e pengon reformën, por i jep asaj legjitimitet, besueshmëri dhe qëndrueshmëri.
Zv.presidenti i Shoqatës, Albert Malaj, paraqiti tre shqetësime kryesore: përmbylljen e procesit parlamentar pa u realizuar të gjitha fazat e parashikuara, mungesën e konsultimit konkret për propozimin e shkrirjes së 15 bashkive dhe mungesën e një konsensusi të gjerë në nivel vendor. Sipas Shoqatës, vijoi më tej njoftimi i PD-së, nuk u zhvilluan disa prej mekanizmave të parashikuar, përfshirë raundet e mëtejshme të konsultimit, sondazhin publik, publikimin e kritereve dhe alternativave dhe konsultimin mbi paketën ligjore.
“Ne nuk u kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë të mbështesin një hartë të caktuar, por të ndihmojnë që procesi të respektojë standardet evropiane të konsultimit, pjesëmarrjes dhe demokracisë lokale”, tha Malaj. Eksperti i nivelit të lartë për Reformën Territoriale-Administrative, Ylli Asllani, e cilësoi procesin të njëanshëm. Ai tha se opozita kishte kërkuar një Komision të Posaçëm Parlamentar bipartizan dhe se kjo kërkesë u pranua pas presionit ndërkombëtar. Sipas Asllanit, pavarësisht kërkesave të opozitës dhe ekspertëve, jo të gjitha aktivitetet e parashikuara u zhvilluan.
Në përfundim, thuhet në njoftimin e PD-së, Shoqata kërkoi nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të shqyrtojë dokumentacionin, konsultimet e zhvilluara dhe qëndrimet e bashkive e komuniteteve, si dhe të vlerësojë përputhshmërinë e procesit me standardet evropiane të autonomisë vendore. “Debati, sipas Shoqatës, nuk lidhet vetëm me numrin apo kufijtë e bashkive, por me mënyrën se si merret një vendim që prek drejtpërdrejt qytetarët, shërbimet publike, përfaqësimin dhe autonominë vendore. Çdo ndryshim i hartës territoriale duhet të mbështetet në evidencë të verifikueshme, konsultim real dhe konsensus të gjerë”, njoftoi PD.
KOHA JONË SONDAZH

