Sherri Spiropali-Rama, Paskal Milo: Kemi një parti-shtet në duart e kryetarit. Po nisi lëmshi s’e ndal dot
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo flet për përplasjet publike dhe kritikat ndaj drejtimit të PS-së, ku kryefjalë janë qëndrimet e forta të Elisa Spiropalit ndaj kryeministrtit Edi Rama. Për të PS ka pasur përplasje gjatë viteve të drejtimit nga Edi Rama. Ai theksoi se që nga viti 2005 partia ka hyrë në një fazë të re, ku strukturat dhe forumet e saj kanë humbur rolin real në vendimmarrje.
Sipas tij, mënyra e organizimit ka krijuar një model ku pushteti është i centralizuar dhe ku kryetari ka ndikimin kryesor në çdo hallkë të partisë dhe qeverisjes. Milo shtoi se zërat kritikë që po dëgjohen sot, përfshirë figura si Elisa Spiropali dhe të tjerë, nuk janë një fenomen i ri, por reflektim i problemeve të hershme brenda partisë, të cilat sipas tij vetëm tani po dalin më hapur në sipërfaqe.
”Pushteti absolut që ka zoti Rama brenda PS ka diktuar një politikë të atillë që këto institucione ku anëtarë të veçantë nuk kanë rol ose e kanë minimal. Kjo është mënyrë e dukshme. PS sot portretizohet si ekip politik administrativ i një parti-shtet, që i ka të gjitha hallkat në dorën e saj dhe aty vendos kryetari i partisë. Mund të mos jetë përjashtim, kjo varet. Nuk dua të hy në detaje. Aty është krijuar një mënyrë qeverisjeje dhe administrimi që lë vend për debat, për ankesa sepse ka humbur koncepti bazë i funksionimit të një partie politike që është demokracia e brendshme.
Ka shumë që i dëgjoj që përgjegjësinë kryesore ia japin zotit Rama për atë çka po ndodh në PS, por jam pjesërisht dakord me ta. Për mendimin tim sa përgjegjës është zoti Rama për këtë trajektore të PS nga një parti e hapur në një të mbyllur, përgjegjësi kanë dhe ata të tjerët që vinë rrotull tij. Asnjë prej tyre nuk ka pasur as kurajo dhe as mendësi demokratike europiane për të thënë mendimin e tyre. Duke vlerësuar atë çka po ndodh tani në kuptimin e shprehjes së mendimeve dhe vënien e gishtit te plaga e PS, ata i kanë thurur lavde kryetarit të partisë, e kanë mbështetur atë, kanë qenë pjesë e ekipit për të cilat ata ankohen sot.
Në momentin kur kanë humbur pozicionin në qeveri apo hierarkinë politike të PS, kanë marrë kurajon të vënë gishtin në plagë. Jo se nuk kanë të drejtë, por këto janë probleme të vjetra në PS dhe nuk janë manifestuar tani. Qoftë për zonjën Spiropali apo dhe Braçen apo dhe zëra të tjerë që nuk flasin publikisht. Duhet vepruar me qetësi dhe të kishte më shumë urtësi dhe më shumë kolegjialitet dhe të korrigjohet sa nuk është vonë. Po nisi një lëmsh të shthuret, se ndalon dot’‘,-tha në ”News 24”.
KOHA JONË SONDAZH

