U betua te presidenti/ Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu: Një mision për të vijuar me energji rrugën e reformave
Klodiana Spahiu ka marrë zyrtarisht detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke shënuar nisjen e një përgjegjësie të re në drejtimin e këtij dikasteri. Në një reagim pas marrjes së detyrës, Spahiu shprehu mirënjohjen ndaj Kryeministrit Edi Rama për besimin e dhënë, si dhe ndaj kolegëve të Grupit Parlamentar Socialist, të cilët votuan pro dekretit të Presidentit për emërimin e saj.
Spahiu deklaroi se e merr këtë detyrë me përgjegjësi të lartë dhe me synimin për të vijuar reformat në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. “Shëndetësia ka qenë gjithmonë një fushë me të cilën kam qenë dhe mbetem shumë e lidhur”, u shpreh ajo, duke e cilësuar detyrën e re jo vetëm si një përgjegjësi, por edhe si një mision për të vijuar me energji rrugën e reformave.
Ndër prioritetet e renditura nga ministrja e re janë transformimi i shërbimeve mjekësore, përmirësimi i infrastrukturës spitalore, rritja e cilësisë dhe aksesit në shërbimet shëndetësore dhe sociale, me qytetarin në qendër të politikave dhe vendimmarrjes.
Postimi i plotë
Jam shumë e nderuar që, nga sot, marr zyrtarisht detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Në këtë moment të rëndësishëm dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për Kryeministrin Edi Rama, për besimin e dhënë, si dhe për kolegët e Grupit Parlamentar Socialist, të cilët votuan pro dekretit të Presidentit për emërimin tim në këtë detyrë me përgjegjësi të madhe.
E marr këtë detyrë me shumë përgjegjësi, por edhe me besimin se mund të kontribuoj për të çuar më tej punën dhe reformat e ndërmarra në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. Shëndetësia ka qenë gjithmonë një fushë me të cilën kam qenë dhe mbetem shumë e lidhur. Prandaj, kjo detyrë për mua nuk është thjesht një përgjegjësi e re, por një mision dhe një ambicie për të vijuar me energji rrugën e reformave.
Objektivi ynë është i qartë: transformimi i shërbimeve mjekësore, përmirësimi i infrastrukturës spitalore, rritja e cilësisë dhe aksesit në shërbimet shëndetësore dhe sociale, duke vendosur gjithmonë qytetarin në qendër të çdo politike dhe vendimmarrjeje.
Marrja e kësaj detyre përkon edhe me nisjen e një Sesioni të ri parlamentar, në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, kur jemi më pranë se kurrë objektivit tonë madhor: anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Me përkushtim, përgjegjësi dhe punë do të vijojmë së bashku këtë rrugëtim, për një sistem shëndetësor modern, cilësor, të aksesueshëm dhe dinjitoz për çdo qytetar. Faleminderit për besimin!
KOHA JONË SONDAZH

