Homazhe Kristo Frashërit, nderohet nga krerët e shtetit

Në Akademinë e Shkencave po zhvillohen homazhet në nderim të akademikut dhe personalitetit të shquar të kulturës sonë kombëtare Prof. Dr. Kristo Frashëri, i cili u nda nga jeta në moshën 96 vjeçare më 31 janar 2016.

Në homazhe për të nderuar figurën e tij morën pjesë Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akademikë, njerëz të njohur të artit dhe kulturës, miq , familjarë etj.

 

Biografia

Kristo Frashëri lindi në 4 dhjetor 1920 në në Stamboll, Turqi. U riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë më 1927. Më 1940, pasi kreu shkollën e mesme, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Më 1942 u burgos dhe u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në radhët partizane.

Në vitin 1945–1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar (Sektori i kreditit). Ndërkohë ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Institutin e Lartë Pedagogjik (1951–1955). Prej vitit 1953 punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, më 1955 në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, më 1957 në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT. Më 1966 u dërgua për pesë vjet për “riedukim” si mësues në shkollën e mesme të Përmetit; më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ku doli në pension (1990). Më 1997 u emërua zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 1999 përsëri në pension.

Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë: antikiteti, mesjeta, Rilindja Kombëtare dhe koha e sotme. Ka trajtuar tema jo vetëm nga historia politike, por edhe ekonomike, shoqërore e kulturore.

Ka marrë pjesë me referate në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj në një varg revistash shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Si pedagog i Historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka dhënë ndihmesë në përgatitjen e historianëve të rinj.

Ka marrë dy herë “Çmimin e Republikës” të kl. I (1961, 1984). Është dekoruar me Urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

 

Publikime

“Principata e Arbërisë : 1190-1215” (2014)
“Jeta e një historiani” (2014)
“Ahmet Zogu : vështrim historik” (2014)
“Etnogjeneza e shqiptarëve – Vështrim historik” (2013)
“Historia e Dibrës” (2012)
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881” (2012)
“Ismail Qemali – Album” (2012)
“E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit” (2010)
“Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike)” (2009)
“Skënderbeu i shpërfytyruar “ (2009)
“Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809)” (2009)
“Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore)” (2008)
“Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë : (28 Nëntor 1912)” (2008)

“Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së (1878 – 1941)” (2006)
“Identiteti kombëtar shqiptar” (2006)
“Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006)
“Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (2005)
“Himara dhe përkatësia etnike e himarjotëve “ (2005)
“Historia e Tiranës” (2004)
“Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (2002)
“Historia e popullit shqiptar” vëll. II, (2002), (bashkautor).
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878–1881” (1997)
“Histori e Shqipërisë” vëll. II. (bashkautor dhe bashkëredaktor), (1984)
“Abdyl Frashëri” (1984)
Bashkëautor i “Histoire de l’Albanie” (Lion, 1974)
Autor i teksteve të historisë së Shqipërisë për shkollat e mesme gjatë v. ‘70–‘80
“Histori e Shqipërisë”, vështrim i përgjithshëm e i përmbledhur që nga parahistoria deri në v. 1960 (botuar në disa gjuhë të huaja (1964)
“Vështrim mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun (1958)
“Vështrim mbi jetën dhe veprën e Sami Frashërit (1954)
“Histori e Shqipërisë” në dy vëllime (botim i USHT, 1959, 1965), autor i kapitujve që trajtojnë historinë mesjetare të Shqipërisë dhe periudhën e Rilindjes Kombëtare

 

SHKARKO APP