Home Aktualitet Merren peng n...

Merren peng nga forcat serbe tre policë pranë kufirit në veri të Kosovës. Reagon Kurti: Do kundërpërgjigjemi!

747
0

Policia e Kosovës tha se tre pjesëtarë të saj janë arrestuar nga autoritetet serbe në afërsi të kufirit me Serbinë, në një incident ende të paqartë që mund të shtojë tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet të dyja vendeve për shkak të zhvillimeve të javëve të fundit në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës tha se “në mesditën e së mërkurës, tre zyrtarë kufitarë dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare me Serbinë në veri të Kosovës”.

Në njoftimin e policisë thuhet se njësia patrulluese e kufirit ishte me detyrë “thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

Në komunikatë theksohet se “me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtarë” dhe është kërkuar lirimi i menjëhershëm i tyre.

Në Beograd, drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se pjesëtarët e policisë së Kosovës, janë arrestuar “në thellësi të territorit të Serbisë”, në një fshat në afërsi të Rashkës.

“Dëshiroj të theksoj se pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës dhe nuk kanë shkelur as rezolutën 1244 (të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara) dhe as marrëveshjen ushtarako-teknike për shkak se nuk kanë kaluar vijën administrative. Ata që kanë shkelur këto marrëveshje ndërkombëtare janë pikërisht pjesëtarët e policisë së Kosovës”, tha Petar Petkoviç, duke theksuar se Serbia është e gatshme të ofrojë të gjitha provat dhe kërkoi hapjen e një hetimi ndërkombëtar, nëse është e nevojshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”.

Në një postim në rrjetet sociale ai tha dyshohet se policët “janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”.

Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve ai u bëri thirrje “faktorëve ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi se policët “janë rrëmbyer” në një veprim që paraqet “shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare”.

Serbia shkroi ai, “po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor”, ndërsa bëri thirrje që “faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj”./VOA/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit