Home Aktualitet Mësuesia, mis...

Mësuesia, mision i pamundur i një punëmarrësi të përdorur

48
0

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesve

Nga Albert Vataj

“I jam borxhli babait për jetën, por mësuesit do t’i jem për përjetësinë”, tha Aleksandri i Madh. Dhe mbeti ky postulat në kohje, si një shkreptimë, për të qenë diell në shpirtin e të gjithëve, atyre, jeta e të cilëve kishte nevojë më shumë se për gjithçka, për dritë.
Dhe ishte ai, mësuesi, që e farkëtoi në kohëpaskohje këtë diell, për ta ndezur te çdonjëri nga ne, si një vullnesë zjarri, ardhur nga blatimi i një Prometheu, në udhën e gjatë të zgjimeve prej flake. “Nëse ju duhet të vendosni dikë në një piedestal, vendosni mësuesit, ata janë dishepujt e ardhmërisë”, do të mëtonte Guy Kawasaki.
E megjithatë, kjo tashmëri interesash utilitare, thellësisht pragmatiste, në një qasje makabre, po tenton të fabrikojë një mësues instrument në duart e një monstruoziteti despotik.

Miqtë e mi mësues, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesve, kam obligim të mirësisë, të ju shpreh vlerësim dhe konsideratë për profesionin e sfidave titane, që ju keni zgjedhur, dhe detyrën e shenjtë që ju keni marrë përgjegjësinë të bëni, atë të mësuesit.
Sot, më shumë se kurrë, misioni juaj është i marrë nën kërcënim, si shumë vlera të lartësuara në qëllim, për shumë shkakësi, por në kryeradhë, për arsyen se shteti dhe institucionet ligjzbatuese, e kanë kthyer mësuesin në punëmarrës të rëndomtë, në një argat; të zhveshur nga çdo parim dhe ideal, të dorëzuar para çdo ndalese dhe trazimi, të demotivuar dhe demoralizuar. Të cilit i duhet të jetë i bindur dhe i nënshtruar para çdo lloj lajthitje politike e paranojë perversiteti. Duke lejuar autoritetin të përdor dhe shpërdorojë integritetin e shenjtërisë së mëkuesit të dritës.

Sikur të mos mjaftojë kjo, mësuesimit i vihet përballë, jo arsye për ndërgjegjësim, por shkas për mospranim, edhe liria që ka rrokur e drejta e çdo nxënësi për të patur të drejtë, edhe në legjitimimin e konsumimit të akteve më ekstreme të padrejtësisë.
Mësuesi në pozitat e një punëmarrësi, gjithmonë i duhet; për të qenit aty, në klasë, në auditor. Pasi ai ka paguar për këtë vend pune dhe pagën që merr, para dhe dinjitet, shtim të burokracive dhe shtrëngim të kushtimi skematik, kanë bërë që tek mësuesi të vdes në një mënyrë demonstrative shenjtëria e mësuesit, të shuhet ai diell që mban të ndezur në shpirt, zellin dhe përkushtimin, për t’i shërbyer këtij misioni me përgjegjësinë e një detyre.

Sot, ata që sot kanë mbetur mësues, janë shumë më shumë se ç’ishin në kohën tonë, sepse ndaj tyre pothuajse gjithçka është armiqësore, që nga eprorët partiakë që kanë mbi ta drejtë ekskluzive, nxënësit e llastuar, prindërit fodullë dhe sistemi fiasko.
Fajet e tyre janë gabime që askush nuk i fal. Të drejtat e tyre janë legjitimitete që askush nuk i njeh dhe zbaton. Misioni i tyre është një besim i refuzuar. E lartësuara në ideale të mësuesit si mëkues i shëlbimit dhe shërbesës, është një Perëndi e shkurorëzuar.
E megjithatë ende thelbi ka mbetur në shpirtin e tyre, më shumë se sa firma që vënë në bordero, apo paktet e ndyta dhe kërbaçi i mbikëqyrjes prej gardiani të autoritetit. Ka ende shpresë, edhe pse shkolla ka gjithnjë e më pak premisa për progres dhe zhvillim shoqëror, dije dhe integriteti intelektual, ka më pak gjasshmëri shansesh dhe shtytje për sakrifica dhe idhujtari e shpirtdritje shtresimesh idilike të imagjinatës.
Kohëra kanë ndryshuar, aspiratat gjithashtu. Dijen e ka zëvendësuar paraja. Dinjiteti është virtyt që ka hequr dorë përballë sundimit të vesit dhe pushtetit të poshtërsisë dhe imoralitetit.

Kanë rënë një e nga një idhujt e dijes dhe dritës, për tu zëvendësuar nga demonët e së keqes, rishtarët e meskiniteteve dhe spekulimit, padronët e podiumeve politike dhe skenaret ogurzeza të zotërve t֝ë parasë dhe pushtetit.

Nuk ka më motivim, as shtysë, vlera as virtyt, ka pragmatizëm dhe sofistikim i artit të lëpirjes dhe denigrimit. Mësuesi nuk mund të jetë më ai që betimi i përgjegjësisë së detyrës e thërret në mision, sepse gjithçka është kundër tij. Ai është i braktisur edhe nga vetja, nga ëndrra, me të cilën ai ushqeu të bëhej mësues, si mësuesi që ka mbetur ende një dritë e vezullimtë brenda tij.

Sot kemi ende të pasionuar të mësimdhënies, përkushtimi i të cilëve është një heroikë që meriton mirënjohje, por është një shpirt që po venitet, një diell që po shuhet, një zemër që po ndalon. Sepse, sot në perandorinë e parasë, ai që ka më pak vlerë është ai që zotëron çelësin e të gjitha mundësive.

Ti mësues, pavarësisht se ku je katandisur, ku të hedhur e sotmja, ku fatkeqësisht pret të të flak e nesërmja, ti do të mbetesh ai mëkimi i fillimtë i dritës së dijes, ai zëri i pëshpërimave të ngulmeve të gjëmimshme.

Miqtë e mi mësues, unë nuk zgjodha t’i bashkohem aradhes suaj që e shenjtëron besimi te drita e dijes, por gjithnjë më ka udhëprirë besimin që pata dhe kam te misioni juaj.
Libri përpara se të bëhej zë i zëshmërisë së një shpirti që mëkon hir dhe hyjni, ishte dru!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit