Home Aktualitet Ministeriali ...

Ministeriali në Tiranë, ministri Mete: Integrimi në SEPA-s, ul ndjeshëm kostot e pagesave dhe mbështet tregtinë

26
0

Ballkani Perëndimor drejt Sistemit Europian të Pagesave (SEPA), ishte fokusi i Ministerialit që mblodhi sot në Tiranë Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ministeriali u zhvillua në pararendje të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së për Planin e Ri të Rritjes së Komisionit të BE-së. Ky Plan Rritjeje ka identifikuar aksesin në SEPA (Single European Payment Area) si një nga mundësitë që vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë përpara finalizimit të procesit të anëtarësimit, me përmbushjen e kushteve. Ministri i Financave Ervin Mete gjatë fjalës së mbajtur në Ministerialin e zhvilluar në Tiranë, u shpreh se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA do të sillte përfitime të konsiderueshme ekonomike për rajonin.

“Hapja e SEPA-s për anëtarët jo të BE-së, si pjesë e Planit të Ri të Rritjes së Komisionit të BE-së, përfaqëson një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor që të ulë ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në dhe në të njëjtën kohë mund të konsiderohet si një mjet monitorimi për Bashkimin Europian për identifikimin e gatishmërisë dhe vullnetit tonë për të qenë pjesë e familjes europiane. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë shumë të ndërlidhura me Bashkimin Europian, prandaj është e një rëndësie të madhe për ne që të synojmë krijimin e lidhjeve efikase të pagesave ndërkufitare”,-u shpreh ai.

Po ashtu Mete nënvizoi se Bashkimi Europian është partneri më i madh tregtar për Shqipërinë dhe vendet e rajonit, e po ashtu burimi më i madh i investimeve të huaja direkte dhe flukseve të tjera financiare.

“Mbi 70 për qind e eksporteve nga Ballkani Perëndimor shkon në vendet anëtare të BE-së. BE-ja është gjithashtu burimi më i madh i investimeve të huaja direkte në rajon. Ajo përbën rreth 70% të totalit të IHD-ve në Ballkanin Perëndimor. Gjatë dy dekadave të fundit, IHD-të kanë qenë një shtytës kryesor i rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor duke promovuar integrimin në zinxhirët e vlerave europiane, duke krijuar vende të reja pune dhe duke futur teknologji të reja. Më tej, pothuajse një e pesta e popullsisë së Ballkanit Perëndimor jeton jashtë vendit dhe shumica e tyre ndodhet në vendet e BE-së. Në këtë kontekst, edhe remitancat luajnë një rol të rëndësishëm për ekonomitë tona. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, kosto për të dërguar remitanca për shembull në rastin e Shqipërisë përllogaritet mesatarisht në 8.7% dhe vlerësohet se me përfshirjen në SEPA emigrantët dhe familjet e tyre mund të kursejnë në mënyrë domethënëse”,-deklaroi Ministri i Financave Ervin Mete.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit