Home Aktualitet Ndeshjet me I...

Ndeshjet me Islandën dhe Izraelin/ Vrioni dhe Veseli: Jemi skuadër e fortë, luajmë për vendin e parë në grup

142
0

Giacomo Vrioni dhe Frederic Veseli, në një konferencë për mediat këtë të mërkurë, kanë folur për sfidat e Shqipërisë në “Nations League” dhe miqësoren ndaj Estonisë. Vrioni është bashkuar ditën e djeshme me ekipin Kombëtar, teksa do të nisë menjëherë përgatitjet me grupin kuqezi. Me objektiva të qartë për vendin e parë, sulmuesi shqiptar vlerëson maksimalisht sfidat.

“E dimë që janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, por e dimë edhe nivelin tonë. Si në Islandë, ashtu edhe në Shqipëri, do të luajmë për të marrë 3 pikë, për të arritur vendin e pare”, tha futbollisti i kombëtares, Giacomo Vrioni.

Mbrojtësi kuqezi, Frederic Veseli shprehet se skuadra ka punuar intensivisht që prej ditës së parë për të përgatitur këto sfida, jo vetëm nga ana fizike, por edhe nga ajo mentale.

“Është e vështirë sepse kemi mbrojtës ekspertë dhe shumë të fortë. Secili nga ne luan në kampionate të nivelit maksimal, por kur vjen në Kombëtare është momenti që vlen dhe vendos trajneri kush luan. Jemi të gjithë të aftë që të luajmë që nga minuti i parë, ose nëse ka nevojë, të hyjmë në lojë kurdo”, tha futbollist i kombëtares, Frederik Veseli.

Pjesë nga konferenca

Giacomo Vrioni

Sa i lehtë është vendi i parë pa Rusinë? – E dimë që janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, por e dimë edhe nivelin tonë. Si në Islandë, ashtu edhe në Shqipëri, do të luajmë për të marrë 3 pikë, për të arritur vendin e parë.

Atmosfera e grupit – Shumë mirë. Unë kam arritur dje, po atmosfera është shumë e mirë dhe jemi të përqendruar në këto ndeshje.

Titullar? – Atë e di trajneri, unë di vetëm që do të vazhdoj të punoj edhe pse kalova një sezon shumë të rëndësishëm, sërisht është zgjedhje e trajnerit.

A mund të thyej rekordin e Salihit në Kombëtare? – Nëse trajneri më jep mundësinë, është normale, sepse jemi sulmues dhe kërkojmë golat dhe atë do të provojmë.

Konkurenca në Kombëtare – E vështirë është gjithandej, sepse kudo ka sulmues, por në Kombëtare ka lojtarë shumë të fortë, janë më në formë. Ne do të mendojmë vetëm të bëjmë më të mirën në stërvitje dhe siç thashë më parë, zgjedhja i përket trajnerit.

Kush repart më i fortë i skuadrës sonë? – Për mua të gjitha repartet janë të forta. Të gjithë lojtarët luajnë në Europë, ka lojtarë që luajnë në Champions League, Premier League, Europa League, Marash Kumbulla fitoi Conference League dhe siç të thashë, të gjithë repartet janë të rëndësishme në Kombëtare.

Pika jonë më e fortë? – Grupi.

Islanda apo Izraeli, rivali më i vështirë? – Kur luan në Nations League nuk ka ekip më të vështirë, ekip më të fortë, janë të gjithë në nivelin tonë dhe ne do punojmë që të marrim 3 pikë në Islandë dhe në Shqipëri me Izraelin.

Mbrojtësi kuqezi i Kombëtares, Frederic Veseli

Përgatitjet për Islandën – E kemi përgatitur mirë. E kemi nisur me stërvitje intensive që nga dita e parë dhe jemi përgatitur shumë në fushë. Synimi ynë është të bëjmë ndeshje të mira me Kombëtare dhe të fitojmë.

E vështirë për të gjetur hapësira në mbrojtje si e jona? – Është e vështirë sepse kemi mbrojtës ekspertë dhe shumë të fortë. Secili nga ne luan në kampionate të nivelit maksimal, por kur vjen në Kombëtare është momenti që vlen dhe vendos trajneri kush luan. Jemi të gjithë të aftë që të luajmë që nga minuti i parë, ose nëse ka nevojë, të hyjmë në lojë kurdo.

Ngarkesa në skuadër dhe përgatitjet – Këto ditë kanë shkuar shumë mirë. Kemi punuar shumë nga ana mentale, nga ana e grupit. Besoj se e kemi arritur “një marrëveshje” të bukur mes nesh, me lojtarët dhe stafin dhe besoj se kjo na çon sa më lart.

Njohja e kundërshtarëve – Besoj se kemi bërë disa gabime kundër Islandës dhe Izraelit në ndeshjet e fundit kundër tyre dhe duhet t’i përdorim këto gabime për t’u përmirësuar dhe pse jo për t’i fituar këto ndeshje kundër tyre. Besoj se momentalisht jemi në nivelin e duhur, në grupin B dhe pse jo të synojmë të shkojmë në grupin A. Kemi bërë disa gjëra të mira me Kombëtaren këto vitet e fundit dhe besoj se një hap përpara do ishte gjëja më e bukur.

Shqipëria, favorite e grupit për vendin e parë? – Sigurisht, për mendimin tim dhe të skuadrës jemi favoritë. Por varet se çfarë mendojnë edhe skuadrat e tjera. Ne shpirtërisht mendojmë se kemi çdo mundësi të fitojmë dhe mund ta konfirmoj se kemi vullnetin jo 100, por 200% për të dhënë maksimumin dhe për të arritur vendin e parë për të kaluar në Ligën A ku kemi kundërshtarë shumë të fortë. Edhe si eksperiencë personale për çdo lojtar edhe si eksperiencë për grupin dhe për tifozët tanë që na shikojnë, pse jo të shohin ndeshje kundër skuadrave shumë të forta dhe me nivel shumë të lartë.

Mbrojtja e përgatitur në kampionatin italian – Besoj se po, pasi dihet që kampionati italian ka prodhuar mbrojtës me shumë famë dhe kualitet. Besoj se është repart që duhet të jetë i fortë për të synuar fitore dhe rezultat pozitiv, pasi nëse nuk funksionon mbrojtja, nuk fitohet loja. Ne nga mbrapa bëjmë lojën tonë, pastaj varet nga Vrioni dhe të tjerët për të shënuar.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit