Home Aktualitet Në mbrëmjen e...

Në mbrëmjen e maturës, 19-vjeçari shqiptar përplaset për vdekje

254
0

“Kevin kishte dalë i lumtur nga shtëpia, ëndërronte për maturën prej kohësh, që më pas të regjistrohej në universitet. Një fat i pamëshirshëm, kaq i pamëshirshëm sa e mori nga kjo botë”.

Erlind Muhametaj, është daja i 19-vjeçarit Kevin Murataj, të riut shqiptar i cili humbi tragjikisht jetën mbrëmjen e së premtes jashtë një picerie, ku kishte festuar bashkë me shokët e shoqet maturën.

Me origjinë nga Shqipëria, ai kishte lindur në Foggia të Italisë dhe jetonte në Latisana. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, 19-vjeçari sapo kishte dalë nga piceria së bashku me 8 shokë e shoqe të klasës dhe 2 mësues, kur u përplas në vijat e bardha nga një makinë që drejtohej nga një 21-vjeçar. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:30. Të rinjtë ishin nisur drejt diskotekës për të vijuar festën.

Kevin Murataj, që do të kishte mbushur 20 vjeç më 3 Shtator, ishte i pari në rresht. Papritur studenti u përplas nga automjeti. Dinamika e ngjarjes mbetet ende për t’u sqaruar megjithatë nga të dhënat e para shoferi i makinës kishte ndaluar në mënyrë që të rinjtë të kalonin, por siç duket nuk e kishte parë në kohë që Kevin ishte futur në vijat e bardha.

I riu u transportua me urgjencë drejt spitalit, por përplasja ishte e fortë dhe ai ndërroi jetë pa mbërritur ende. Sipas asaj që shkruan Messaggero Veneto, familja Murataj kishin shkuar në Itali shumë vite më parë. Por asnjëri prej tyre nuk e kishte imagjinuar se do të duhej të përballeshin me një humbje kaq të madhe.

“Kevin po kalonte rrugën te vijat e bardha, shoferi nuk e pa dhe e përplasi”, shprehet me zërin e ulur daja i 19-vjeçarit, për të mos shkelur heshtjen në familjen që e ka pllakosur dhimbja.

“Ishte një djalë gjithmonë i qeshur, kishte kaq shumë dëshirë për të studiuar, për të punuar, nuk lodhej kurrë”, shtoi ai. Një realitet i pamundur për t’u pranuar… Prindërit e Kevin, nuk i njohin ende detajet e ngjarjes, ndaj dhe përpiqen të mos e gjykojnë të riun që ndodhej në timon.

“Ishte një djalë i mbarë, në fundjavë punonte si kamarier në picerinë Bella Napoli, ku punoj dhe unë. Mezi priste që të mbaronte shkollën që të punonte gjatë gjithë verës”, shton daja i tij Erlindi, ndërsa motra e tij, tregon fotot e të birit në telefon. Ndalon tek një foto e Kevin në bregdet, vijon dhe gjen një foto tjetër ku janë krah njëri-tjetrit në makinë. “Donte të regjistrohej në universitet”, është e vetmja gjë që arrin të thotë Elisabeta Murataj.

Kevin Murataj le pas prindërit, babain Alket dhe nënën Elisabeta, si dhe dy vëllezër më të vegjël.

Përveç sportit, ai kishte shumë qejf të shkonte në kinema dhe ishte i apasionuar pas produksioneve të Marvel. Vdekja e Kevin ka tronditur të gjithë komunitetin në Latisana dhe Lignano.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit