Home POLITIKE Nga Unaza dhe...

Nga Unaza dhe shkollat tek Bulevardi i ri, Veliaj rendit projektet: Do u shërbej të gjithëve, Meta dhe Berisha kanë hallin personal

53
0

Me premtimin që do të vijojë t’u shërbejë të gjithëve, edhe atyre që do të votojnë kundër, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj listoi sot projektet të cilat do të realizohen 4 vitet e ardhshme. Në një intervistë për ABC, Veliaj tha se edhe ata demokratë apo që kanë qenë më parë me LSI, e kanë kuptuar që dy liderët e tyre kanë halle personale. “Edhe për ata që nuk na votojnë ose që për herë të parë do na bashkohen në këtë garë, do u shërbejmë të gjithëve. Të gjithë e dine fjalimin tim ditën e hënë. Jam aty, që t’ju shërbej të gjithëve. Ndoshta nuk u pëlqej të gjithëve por jam për t’u shërbyer të gjithëve, edhe atyre që ndoshta nuk na kanë votuar por që sot si kurrë më parë na janë bashkuar. Vëllezër e motra demokratë apo që kanë qenë më parë me LSI kanë kuptuar që dy liderët e tyre kanë halle personale, s’kanë pikë interesi për çerdhen, kopshtin, shkollën”, tha ai.

Veliaj u shpreh se Tirana ka tashmë një park të dytë që i shtohet, ndërkohë që zonat rurale do të kenë mundësi që të shesin prodhimet e tyre në tregun e ri agro-ushqimor. “Liqeni i Farkës, një park i dytë që i shtohet Tiranës, një park masiv dhe pas parkut të liqenit të Tiranës që u dyfishua pasi u lirua pjesa e liqenit të Thatë. Tirana realisht ka dy pulmone, pra ka një mushkëri me liqenin Farkës dhe me liqenin e Tiranës. Siç e patë, sapo kemi inauguruar tregun agro-ushqimor. Për herë të parë kemi thyer monopolin. E di gjithë Tirana kush e ka pasur atë monopol, ç’ lidhje ka me ish kryeministrin dhe qeverinë e asaj kohe. Nuk dua t’i hyj fare. Privati të vazhdojë jetën e vet, por sot kemi filluar thyerjen e monopolit me një treg agro-ushqimor publik të Bashkisë së Tiranës”, tha ai.

Veliaj u ndal dhe tek Unaza e Madhe që do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin. “Në Farkë të Madhe mbaron për momentin autostrada. Nis tek Shqiponja. Patëm ato tre vite bllokim tek Astiri. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për ato tre vite bllokim. Këta që sot flasin për nënkalime kanë gjynahe të mëdha për të larë për të gjithë ata banor që u vonuan tre vite. Sot autostrada ka vajtur deri në Farkë të Madhe, tek Helikopterët. Nga Helikopterët do të vazhdojë në drejtim të Kinostudios, pra pas IKV, nga IKV tek Kodra e Kokonozve; nga Kodra e Kokonozve tek Kodra e Priftit; nga Kodra e Priftit në Tufinë; nga Tufina në Paskuqan; nga Paskuqani në Kamzë dhe tek Treshi rihyn prapë për të ardhur në Laprakë dhe për t’u bashkuar tek shkolla Andrea Stefani me pjesën tjetër të Unazës. Ky është projekti madhor”, deklaroi Kreu i Bashkisë.

Kryebashkiaku u shpreh se projektet e tjera kanë të bëjnë me aksin e bulevardit të ri. “Bulevardi i ri zgjat shtyllën kurrizore të Tiranës në drejtim të Veriut. Sot Tirana është shumë e dendur nga jugu por e zhbalancuar për veriun, kështu që aty do të shkojë Gjykata e lartë, Prokuroria e Përgjithshme, Bashkia e re. Aty do shkojë Muzeu i Artit Modern dhe Qendra e re e Panaireve dhe Kongreseve. Duke pasur parasysh fluksin që ka pasur Tirana për aktivitete kulturore apo edhe si një qendër e konferencave dhe konventave, si një produkt i ri turistik, ne na intereson që çuarja e 7-8 institucioneve atje e bën bulevardin e ri atraktiv edhe për investimet private. Ndërkohë sapo jemi informuar që edhe nga qeveria e Katarit na është miratuar granti. Grant, jo kredi për sheshin përfundimtar tek bulevardi i ri. Unë besoj një shesh solemn që është një baraspeshim me sheshin “Nënë Tereza” dhe sheshin “Skënderbej” në mes të të dy bulevardet, praktikisht e plotësoj këtë shtyllë kurrizore të Tiranës”, nënvizoi ai.

Një vëmendje të veçantë do të marrin dhe projektet nëpër lagje. “5 shkolla të reja tek Astiri. Tashmë i kemi prezantuar cilat janë ato sheshe. Do vijojmë me Kopshtin Botanik, do kemi dy shkolla tek liqeni i Thatë, një tek Kopshti Botanik gjithashtu në cep dhe tjetrën tek Parku Olimpik, ku do të jetë shkolla Dritëro Agolli. Kemi edhe dy shkolla të fundit në Sauk”, u shpreh Veliaj.

Projekti më ambicioz është zona e lirë ekonomike e Tiranës. “Është hera e parë që një Bashki ka licencë nga qeveria për të qenë operatore e një zone të lirë ekonomike, aty ku duam të çojmë teknologji të reja si data centers, automotivët, pra punë që nuk janë bërë më parë në Shqipëri por s’mund të jemi gjithmonë vendi i fasonerive. Duhet të shkojmë përpara. Projekti që lidh dy mandatet, ndoshta projekti më ikonik i Tiranës është Piramida ku ne duam të përgatisim 5000 nxënës çdo muaj për këto industri e punë të reja që paguhen si në BE po s’ke nevojë jo vetëm të lëvizësh nga Shqipëria por ndonjëherë edhe nga shtëpia, për punë që bëhen me kodim e kompjuter. Duam që projektin e TUMO-S ta çojmë tani në një nivel masiv”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit