Home Aktualitet Policia e Sht...

Policia e Shtetit publikon bilancin e muajit tetor/ Janë 104 operacione, 587 shtetas në pranga

67
0

Policia e Shtetit ka publikuar shifrat lidhur me numrin e operacioneve policore të kryera gjatë muajit tetor 2023.

Bëhet me dije se në total janë 104 operacione të finalizuara në të gjithë vendin që goditën veprimtari kriminale në fusha të ndryshme.

4 prej operacioneve u zhvilluan si rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë.
587 shtetas u vunë në pranga, 56 nga të cilët në kërkim kombëtar dhe 11 në kërkim ndërkombëtar.

Janë sekuestruar 557 kilogramë kanabis, doza kokanine dhe kanabisi, pajisje elektrike për kultivim të bimëve narkotike, 27 armë zjarri, 9 armë gjahu, municion luftarak, armë sportive, armë të ftohta, sende të tjera të kundërligjshme, dhjetëra automjete dhe celularë, mallra të kontrabanduara me vlerë gati 150 000 euro, rreth 15 000 euro të përfituara nga veprimtaritë kriminale dhe rreth 230 000 euro të padeklaruara në pikat e kalimit kufitar.

Gjithashtu, është vendosur sekuestro preventive mbi 16 objekte të ndërtuara pa leje, në Ksamil, dhe mbi pasuri të ndryshme në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, me vlerë totale mbi 3 milionë euro.
Operacioni policor i koduar “Tentativa”, i zhvilluar në Durrës, parandaloi kryerjen e një vrasjeje nga një shtetas me precedent të theksuar kriminal.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, janë parandaluar 3 ngjarje kriminale në fushën e krimeve kundër personit dhe përshkallëzimi i 3 konflikteve të çastit.

Në fushën e narkotikëve:

Janë zhvilluar në total 44 operacione. Si rezultat i tyre dhe i rasteve të goditura në këtë fushë janë sekuestruar në total: 557 kilogramë kanabis, më shumë se gjysmë kilogramë kokainë, mijëra doza të këtyre lëndëve, fara kanabisi dhe dhjetëra pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, në ambiente të mbyllura.

Operacioni policor i koduar “Amid”, i zhvilluar nga DVP Vlorë, në bashkëpunim me DVP Fier, zbuloi një magazinë të përshtatur për tharjen e bimëve narkotike. Policia asgjësoi 4930 bimë kanabisi të kultivuara në një parcelë me misër, sekuestroi 198 kg kanabis në proces tharjeje, 2 armë zjarri dhe municion luftarak. 3 shtetas u vunë në pranga, 4 të tjerë u vunë në hetim.

5 operacione në këtë fushë zbuluan 5 ambiente të tjera të përshtatura për tharjen e bimëve narkotikëve, në Krujë, Shkodër, Berat dhe Fier. Në këto ambiente, Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 82 kanabis në proces tharjeje dhe 1 armë zjarri automatik.

Operacioni policor i koduar “Prioriteti”, në Lezhë, çoi në pranga 4 shtetas dhe në ndjekje penale 2 të tjerë, pasi në banesat e tyre, Policia gjeti 158 kg kanabis, një pjesë e gatshme për shitje dhe një pjesë në proces tharjeje. Gjatë operacionit u asgjësuan 280 bimë narkotike që ishin kultivuar në një fshat, si dhe u sekuestruan 14 000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtaritë kriminale të këtyre shtetasve.

Në Shkodër dhe në Krujë, Policia evidentoi dhe goditi 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike, në ambiente të mbyllura, me anë të llambave dhe pajisjeve të tjera elektrike. Operacionet e koduara “Trushi” dhe “Marikaj 2”, asgjësuan 1158 bimë dhe 907 fidanë kanabis që ishin kultivuar në këto ambiente, sekuestruan pajisjet elektrike që shërbenin për rritjen e tyre dhe 1 armë zjarri.

Në Kapshticë, u godit një rast i tentativës për të trafikuar lëndë narkotike drejt Greqisë. Policia sekuestroi 9.3 kg kanabis dhe vuri në pranga poseduesin e saj.

Këtë muaj, megaoperacioni policor mbarëkombëtar i koduar “Tempulli” goditi 26 raste të shitjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave dhe në ambiente që frekuentohen nga nxënësit dhe të rinjtë, në të gjithë territorin e vendit. Policia vuri në pranga 34 autorët e këtyre rasteve dhe sekuestroi sasitë e kanabisit dhe kokainës që ata kishin ndarë në doza, për t’i shitur.

Gjithashtu, në pranga u vunë 9 shtetas që ishin shpallur në kërkim më parë, në kuadër të këtij operacioni.

Në zbatim të masave të ndërmarra në kuadër të Paketës për Sigurinë në shkolla:

Shërbimet e Policisë kanë monitoruar vazhdimisht perimetrin e sigurisë dhe kanë ushtruar kontrolle në subjektet që frekuentohen nga nxënësit. Si rezultat i kontrolleve u goditën 4 raste të shitjes së produkteve të rrezikshme për shëndetin.

27 armë zjarri, 9 armë gjahu, municion luftarak, armë sportive, dhjetëra armë të ftohta të llojeve të ndryshme dhe sende të tjera të kundërligjshme, u sekuestruan si rezultat i 8 operacioneve për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve.

Operacioni policor i koduar “Baza” çoi në pranga një shtetas që kishte përshtatur banesën e tij, në Durrës, për të riparuar dhe tregtuar armë zjarri, fishekë dhe sende të tjera, që do të përdoreshin nga grupet kriminale. Në këtë banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri me silenciator, skelete armësh, municion luftarak dhe sende të kundërligjshme.

Policia Kufitare e Kapshticës goditi një rast të tentativës për të trafikuar 4 armë zjarri dhe municion luftarak, drejt Greqisë. Policia arrestoi drejtuesin e automjetit ku u gjetën armët dhe bashkëpunëtorin e tij.

1 rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri në Shqipëri, u godit nga Policia Kufitare e Morinës. Në pranga u vu drejtuesi i automjetit ku u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, armë të ftohta dhe sende të kundërligjshme.

12 operacione goditën veprimtaritë kriminale në fushën e krimeve ekonomiko-financiare.

Si rezultat i tyre u sekuestruan medikamente mjekësore me vlerë 50 000 euro dhe mallra/ produkte të ndryshme me vlerë rreth 100 000 euro, që tregtoheshin në mënyrë të kundërligjshme.

Gjithashtu, në kuadër të 4 operacioneve në këtë fushë, u vendos sekuestro preventive mbi 16 objekte të ndërtuara pa leje, në Ksamil, dhe mbi pasuri të ndryshme në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, me vlerë mbi 3 milionë euro.

Policia Kufitare e Durrësit parandaloi një rast për të futur në Shqipëri, para që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale. Faza e pestë e operacionit policor të koduar “Fluksi” çoi në pranga 2 drejtuesit e autobusit ku u gjetën rreth 176 200 euro dhe mallra të kontrabanduara.

10 operacione zbardhën vjedhje në banesa dhe në subjekte të ndryshme, gjysma e tyre të kryera me dhunë. Policia sekuestroi shuma parash dhe sende me vlerë të vjedhura në këto ambiente.

U finalizuan 4 operacione kundër transportimit të emigrantëve, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, me destinacion vendet e BE-së.

Operacioni i koduar “Fazat” çoi në pranga 9 shtetas që e kryenin këtë veprimtari kriminale, në formën e një grupi kriminal. Gjatë operacionit, në Durrës, Policia sekuestroi 7 automjete që përdoreshin për transportimin e emigrantëve dhe shuma të konsiderueshme parash të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

9 shtetas në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale u vunë në pranga në Shqipëri, si rezultat i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve me policitë partnere. 3 prej tyre u kapën nga FAST Albania, gjatë operacioneve të zhvilluara në Vlorë, në Shkodër dhe në Laç.

Kontrollet në territor, goditën 95 raste të krimeve të ndryshme kundër mjedisit.

Veçojmë këtu rastet e peshkimit me mekanizma elektrikë, që u goditën në Shkodër, dhe rastet e ndotjes së ujërave të lumit Gjanica, në Fier.

Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me logjistikë bashkëkohore, kanë qenë prezente gjatë këtij muaji, në të gjitha akset e vendit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës.

Janë vënë në pranga 233 drejtues mjetesh, nga të cilët 138 për drejtim të mjetit, në gjendje të dehur, dhe 95 për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 533 leje drejtimi, nga të cilat 343 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 90 për drejtim mjeti, në gjendje të dehur dhe 100 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë ndëshkuese.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar dhe goditur: 43 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 8 raste të dhenies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, 18 raste të përdorimit të dokumenteve false, 3 raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshme, 9 raste të trafikimit të mjeteve motorike dhe 8 raste të mosdeklarimit të të hollave.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit