A do të përshkallëzohet protesta e 16 shkurtit? Balliu: E kanë në dorë qytetarët
Partia Demokratike është e bindur se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër do të ketë. I ftuar në studion e lajmeve të Ora News, deputeti Klevis Balliu tha se do të ketë revolta popullore deri në largimin e kryeministrit Rama.
Pjesë nga biesda në studio
Do të ketë kjo protestë diçka ndryshe dhe a vjen si rrjedhojë e kërkesave brenda partisë?
Balliu: E para njëherë, unë mendoj se popull më evropian seç janë francezët nuk ka. Francezët treguan si protestohet kur të bëhet një e padrejtë.
Dakord, ka një përshkallëzim të mënyrës së të protestuarit, këtë po thoni?
Balliu: Kjo është në dorën e qytetarëve dhe qytetarët janë në të drejtën e tyre të marrin çfarëdolloj mase që ato të mendojnë. Qeveria sot nuk i ka lënë asnjë rrugë tjetër, përvecse një revolte frontale dhe totale me çdo çmim kundër Edi Ramës. Të protestohet në revoltë totale deri në momentin që ky njeri të rrëzohet. Unë i jap këshillin që ai të largohet sot, ka kohë deri në datën 15. Në datën 16 këtë vend e marrin në dorë qytetarët dhe e dinë qytetarët si e heqin Edi Ramën.
Në këto kushte shkohet në zgjedhje?
Balliu: Zgjedhje me Ramën nuk ka dhe nuk do të ketë sepse Edi Rama nuk do jetë këtu për zgjedhjet e qershorit. Unë kam besim tek qytetarët, kam besim tek sistemit demokratik. Unë kam besim tek forca, dhe ma kanë vërtetuar banorët e unazës të cilët nëse nuk do të kishin protestuar, brenda 10 ditëve të gjitha ato shtëpi nuk do të ishin aty. Ata treguan forcën, njësoj si banorët e unazës duhet të bëhen të gjithë qytetarët shqiptar dhe ti dalin këtij njeriu te kryeministria për ta rrëzuar njëherë e mirë dhe të jemi mëse të sigurt që qytetarët do t’ia dalin.
Vjedhja në Pashaliman – Meta të mbledhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare
Deputeti i PD, Klevis Balliu tha se vjedhja në bazën ushtarake të Pashalimanit ishte paralajmëruar. Deputeti demokrat tha se ministrja e Mbrojtjes ishte njoftuar për problemet që kishte kjo bazë, por nuk mori asnjë masë.
“Mjafton të shohësh vetëm vjedhjen e armëve në bazën ushtarake, një absurd. Cënimi i interesave të sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Do i bëja thirrje Presidentit të thërriste mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Kjo zonja Xhaçka ishte paralajmëruar nga gjenerali, që mund të vidhen dhe kemi probleme me këtë bazë dhe nuk mori asnjë masë. Tani pasi vidhen armët, pasi cënohet siguria kombëtare zonja vendos të shkarkojë 15 komandantë, po veten ku e fut kjo zonjë. A nuk meriton që të japë dorëheqjen kjo zonjë?! Është një rast unikal, të vjedhësh armët brenda bazave ushtarake. Ne sot nuk kemi as sigurinë e jetës”– u shpreh deputeti demokrat, Klevis Balliu.
KOHA JONË SONDAZH

