Aksidenti tragjik, Meta: I tronditur nga humbja e jetës së zv/ministrit. I gjendem pranë familjes Daci
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në pikën turistrike të Brezovicës në Kosovë, ku një ortek i ka marrë jetën Arian Dacit, zëvendësministrit të diasporës në qeverinë e Kosovës.
Ngjarja në fjalë ka tronditur jo vetëm politike kosovare, por edhe atë të shqiptare. Lidhur me këtë aksident tragjik ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta, i cili shprehet i tronditur nga lajmi i hidhur i humbjes së jetës së zv/ministrit të Diasporës së Kosovës, Arian Daci gjatë tragjedisë në Brezovicë.
“Jam shumë i tronditur nga lajmi i hidhur i humbjes së jetës së zv/ministrit të Diasporës së Kosovës, Arian Daci gjatë tragjedisë në Brezovicë.
Në këto momente të vështira për familjen Daci, të afërmit e miqtë e tyre, u qëndroj pranë, duke shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë humbje tragjike të parakohshme që na ka lënduar të gjithëve”- shprehet Presidenti i Republikës Ilir Meta në mesazhin e tij ngushëllues.

Ngjarja
Orteku ka rënë në vendin e quajtur “Folea e Shqiponjës”. Ilir Morina, drejtori i Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë ka konfirmuar rastin duke sqaruar se Daci ka humbur jetën, ndërsa një person është shpëtuar në momentet e fundit.
“Njërin e kemi shpëtuar, tjetri ka vdekur”, ka thënë Morina. “Dyshohet se viktima Arian Daci është djali i Nexhat Dacit”, ka thënë më tej Morina.
Sipas tij, ata kanë shkuar në Brezovicë dhe kanë bërë sporte ekstreme jashtë stazhës, gjë që dyshohet se ka shkaktuar ortekun.
Nexhat Daci është një nga akademikët dhe politikanët më të vlerësuar në Kosovë, ndërsa ka mbajtur dhe postin e kryetarit të Kuvendit.
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj:
I tronditur nga fatkeqësia në Brezovicë, ku humbi jetën Arian Daci, zëvendësministër i diasporës, kurse mbeti i lëndur Ardian Bakalli. Ngushëllimet më të sinqerta mikut tim, Akademik Nexhat Dacit, familjes së ngushtë të Arianit si dhe miqve e kolegëve të tij.
KOHA JONË SONDAZH

