Topi: Sot askush nuk është i lumtur. Jemi në një situatë katastrofale
Ish-presidenti Bamir Topi edhe pse ka votuar sot, e ka cilësuar procesin e 30 qershorit, si një datë që nuk bën të lumtur asnjë palë.
Topi u shpreh se nga nesër është koha për një pakt të madh kombëtar që do të mundësojë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.
“Jemi në një situatë katastrofale. Jemi në një ditë ku kushdo duhet të reflektojë”,- tha Bamir Topi.
Kreu i Frymës Demokratike tha se voton pasi është kundër bojkotit dhe se ka kryer detyrën e tij si qytetar. Megjithatë Topi tha se duhet një reflektim pasi sipas tij, Shqipëria është në standardin më të ulët të demokracisë. Ish-presidenti tha se mospjesëmarrja imponon zgjedhje të sforcuara.
“Jam në vijim të bindjeve të mia të thella kundër bojkotit, parime të cilat i ka dhe subjekti ynë politik i cili merr pjesë në zgjedhje por edhe në vijim edhe një politike anti-bojkot që e kanë shprehur së fundmi dhe partnerët tonë kryesorë. Erdha për të bërë detyrën time qytetare dhe politike.
Sonte duhet të bëjnë një meditim të thellë. Duhet një reflektim qytetar për çfarë kanë bërë, pse e kanë sjellë demokracinë në Shqipëri në këtë nivel. Është standardi më i ulët i demokracisë që përjetojmë prej shumë vitesh. Duke filluar nga dita e nesërme, qofshin fitimtarë, qofshin njerëz që kanë bojkotuar duhet t’i thërrasin mendjes për të ardhur në procesin e reformimit politik. Shqipëria nuk mund të kthehet në monizëm. Mos pjesëmarrja imponon zgjedhje të sforcuara”, deklaroi Bamir Topi.
KOHA JONË SONDAZH

